Vllaznia vitin e ardhshëm feston 100 vjetorin e krijimit të saj dhe në gjithë këto vite, ajo ka kaluar jo pak peripeci.
Njëkohësisht, edhe momente të lumtura dhe të gëzueshme. Një nga momentet më kulminante padyshim që ka qenë ngjarja e ndodhur pikërisht 40 vjet më parë.
Më 13 shtator 1978 Vllaznia do të mundte në stadiumin “Vojo Kushi” Austrinë e Vjenës me rezultatin e pastër 2-0, në takimin e vlefshëm për Kupën e Kampioneve të Europës.
Kjo ka qenë ndër mrekullitë më të mëdha të futbollit shkodran në vite. Themi kështu pasi Austria e Vjenës e atyre viteve ishte një emër shumë i njohur i futbollit europian.
Në rradhët e saj ishin shumica futbollistë të kombëtares së Austrisë si Robert Sara, Obermajer, Prohaska etj.
Por Vllaznia e trajnerëve Shaqiri e Rragami por edhe e futbollistëve të mëdhenj Bizi, Zhega, Hafizi, Vukatana, Çanga, Basha, Durraj, Axhani por edhe e përforcimeve si portieri Kaçi, mbrojtësi Berisha dhe sulmuesi Sh.Ballgjini, ia dolën të fitojnë me shifrat 2-0. Fillimisht shënoi Medin Zhega në ‘8 ndërsa Shyqyri Ballgjini do të dyfishonte shifrat në ’57.
Në vite, Vllaznia ka arritur edhe fitore të tjera ndaj ekipeve të huaja, por kjo ndaj Austrisë, konsiderohet një nga mrekullitë e këtij ekipi.
Ja pse edhe sot pas plot 40 vitesh, të gjithë e mbajnë sërish ende mend atë sukses të madh.
© shkodrasport.com