Duhej të ishte ndryshe por në fakt, ceremonia e shpalljes së “10 sportistëve më të mirë të klubit shumësportësh Vllaznia” për vitin 2011, është shndërruar në një “revoltë” të hapur të sportistëve, trajnerëve por edhe specialistëve të ndryshëm. Ata kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj drejtuesve të Bashkisë për harresën që kanë shfaqur ndaj tyre prej kohësh për kushtet e stërvitjes, të pagesave etj.I pari që ka ngritur zërin, ka qenë peshëngritësi më i mirë i Shqipërisë, më i miri i klubit Vllaznia edhe për vitin 2011, pikërisht Erkand Qerimaj. Pasi ka marrë çmimin e parë, duke u intervistuar nga drejtuesit e spektaklit, ka thënë: “Ne të gjithë që jemi sonte këtu fitues, jemi se e meritojmë. Kemi dhënë rezultate në sportet tona dhe prandaj jemi shpallur më të mirët. Por ne që jemi këtu si më të mirët, po të gjithë bashkë duhet të mblidhemi dhe të shkojmë atje në sallën e Këshillit Bashkiak dhe të protestojmë për të drejtat tonë, për kushte më të mira stërvitjeje, për pagesa më të mira”. Por duke vazhduar të flasë sërish, drejtuesit e spektaklit, ndoshta duke patur ngjitur edhe shefin e klubit Gëzim Mema, ia kanë ndërprerë “me stil” fjalën Qerimajt që është irrituar nga ky veprim dhe ka thënë: “Këtej më thoni kampion bote dhe këtej më hiqni fjalën. Kështu nuk është aspak mirë!” Por “revolta” e Qerimajt është pasuar me të tjera. Ka qenë Mark Kroqi, një ish-volejbollist i njohur i Vllaznisë së viteve ’80 dhe njëkohësisht i kombëtares shqiptare, që në momentin e marrjes së çmimit “Nderi i Sportit Shkodran” është shprehur: “Jam shumë i nderuar që klubi Vllaznia më ka nderuar me këtë çmim sonte dhe nuk gjej fjalë ta shpjegoj gëzimin që ndjej. Por si ish-volejbollist, ndjej përgjegjësinë morale që të kontribut për këtë sport edhe sot. Për këtë arsye, një ditë mora guximin dhe trokita në zyrën e kryetarit të Bashkisë. Nuk ishte. Më thanë se ka shkuar në inagurimin e një rruge. Shkova herën e dytë. Sërish nuk e gjeta dhe më thanë se ishtë duke ndjekur disa punime që po bëheshin diku nëpër qytet. Shkova dhe një herë të tretë dhe sërish nuk e gjeta. Më thanë se kishte shkuar të priste disa biznesmenë për disa çështje të tyre. Meqë asnjëherë nuk arrita ta gjej në zyrë, po shfrytëzoj rastin t’ia them sonte publikisht kryetarit të Bashkisë dy fjalë: Zoti kryetar, ndihmoje sportin e volejbollit se është në nderin tënd të mbështesës pasionin e madh që kanë këta djem për këtë sport, e mbi të gjithë një trajner si Artan Kalaja që po mundohet të bëjë mrekullira pa mbështetjen minimale”. Fjalët e Krroqit sigurisht që u pëlqyen nga të pranishmit në ambjentet e Grand Hotel “Europa” sepse u thanë në një mënyrë tepër të veçantë nga ana e tij. I treti që do ngrinte zërin, ishte pikërisht trajneri i volejbollit të Vllaznisë Artan Kalaja që gjatë kësaj ceremonie u shpreh: “Jam shumë i lumtur që Bashkia po investon për futbollin sepse mendoj që tashmë me këtë dëshirë, ata do ta bëjnë këtë gjë edhe për sportet e tjera”. Fjalë të thëna “me kunj” e që sigurisht duhet të vrasin veshin e dikujt. Por ajo çfarë është më e keqja, fjalët e thëna nga këta tre figura të njohura të sportit shkodran, kanë qenë në momentin kur kryebashkiaku Luka nuk ka qenë në sallë pasi kishte ikur më herët. Atij me siguri që do t’i kenë shkuar në vesh ato sepse janë zëra që duhen dëgjuar. Por në këtë mbrëmje ka patur edhe të tjerë të pakënaqur. Vërtetë mbrëmja ka qenë e sportistëve më të mirë të klubit shumësportësh, por kryebashkiaku Luka nuk duhej t’ia kishte lejuar vetes që në këtë mbrëmje të mos përfshihej edhe futbolli për më tepër që Bashkia është pronarja e tij dhe vetë z. Luka është presidenti i Vllaznisë.

www.shkodrasport.com