Merkatoja e janarit 2021 ishte më e çuditshmja dhe ndoshta më e bujshmja e dekadës së fundit sa u përket transferimeve dimërore. Një revolucion i vërtetë… U afruan lojtarë të rëndësishëm, ndryshuan trajnerët dhe vazhdojnë të kërkojnë ende për ndonjë goditje të minutës së fundit.

Po përse? Natyrisht, shpjegimin e gjejmë te zhbllokimi i Partizanit nga FIFA, që solli emra të rëndësishëm si Ferhan Hasani, Stenio Zhunior dhe Valentino Murataj.

Por jo vetëm. Tirana gjithashtu veproi fuqishëm duke u kundërpërgjigjur me Taulant Seferin, Tim Vairinen dhe Joselin Behiraç. Madje ndryshoi edhe trajnerin, teksa sot timonin e ka Orges Shehi. Aktiv edhe Kukësi, ndonëse “blerja” më e bujshme ishte ajo e Mirel Josës në stol.

Afrimet e mbrojtësve Rolandas Baravikas dhe Numan Kurdiç, si dhe marrëveshjet që pritet të zyrtarizohen me mesfushorin Mate Tsintsaxe dhe sulmuesin Ivan Mamut, qartazi konfirmuan edhe një herë ambiciet e Safet Gjicit edhe për këtë sezon.

Teuta, ashtu si edhe në verë, u tregua e kujdesshme, por nuk munguan lëvizjet. Sebino Plaku shton konkurrencën në sulm, ndërsa Xhekson Ferriera është një emër i afirmuar në kampionatin tonë, teksa vjen pas një eksperience në Kosovë me Gjilanin.

Nga skuadrat e zonës së sipërme të tabelës, vetëm Laçi qëndroi pasiv, por me një arsye të fortë, pasi e ka grupin të kompletuar. Gjithsesi, pyetja është pse kaq shumë investime për lojtarë me peshë, kur Vllaznia është shkëputur me 9 pikë larg Partizanit dhe Teutës që janë ndjekësit më të afërt?

A nuk mundet që për Europën ekipet e tjera të konkurronin me kontigjentin që kishin? Ka shumë të ngjarë që shumica prej nesh të thotë “po”, por edhe ashtu siç ishin mund të luftonin denjësisht me njëri-tjetrin për një vend në Europë apo për Kupën e Shqipërisë. Por kleçka është pikërisht tek ëndrra e madhe që kanë të gjithë pretendentët dhe që quhet “TITULL”. Pra, të gjithë po përforcohen me shpresën se Vllaznia mund të rrëzohet dhe gara për titull do të rihapet shpejt…