Në ditët e sotme, gjithçka rrotullohet rreth parave. As futbolli nuk bën përjashtim, ku përkundrazi është bërë më i shtrenjtë dhe më i paparashikueshëm.

Shumë specialistë të futbollit thonë me të drejtë se për të pasur sukses, duhen investime në futboll. Natyrisht, duhet edhe një plan i detajuar, edhe njerëzit e duhur, shumë mund e sakrifica dhe në fund pak fat. Ja pra, ky është futbolli ose kështu funksionon prej disa dekadash në fakt.

Megjithatë, ç’lidhje ka Vllaznia këtu? Padyshim që ka, sepse mbylli një sezon me shumë polemika dhe pa asnjë trofe, duke bërë madje edhe një sforco të jashtëzakonshme financiare sezonin e shkuar. Një gjë e tillë ndodhi sepse u sollën emra të spikatur si Mala, Balaj apo edhe të tjerë.

Ndërkohë, këtë sezon, klubi kuqeblu ka zgjedhur strategjinë e të vepruarit me kujdes, pa çmenduri financiare, siç kanë pohuar edhe vetë drejtuesit, por kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Megjithatë, bilanci do të bëhet në fund, teksa në kampin kuqeblu pohojnë se janë duke punuar çdo ditë për të pasur një skuadër të denjë sezonin e ardhshëm.

Në fakt këtë sezon, “muzika” do të ndryshojë dhe Vllaznia do të bëhet pothuajse nga fillimi, duke mos pasur shumë futbollistë në dispozicion nga sezoni paraardhës. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Vllaznia është e “dënuar” të kalojë një tur, pra të eleminojë Linfieldin.

Po pse është kaq jetike të kalohet turi i parë? Arsyeja është se nëse shkojnë deri në turin e dytë të Conference League, minimalisht do të arkëtonin 550-mijë euro. Nuk janë shumë në kohët e sotme, aq më tepër kur bën llogaritë me shpenzimet që ka një klub në Shqipëri, por gjithsesi janë disa të ardhura të mira.

Ndoshta, kalimi i turit është jetik edhe për ecurinë e sezonit. Ndërkohë që, marketingu dhe e drejta e TV janë një tjetër llogari. Në anën tjetër, Vllaznia nuk duhet të heqë dorë nga praktika e rritjes së futbollistëve të rinj. Edhe kjo është një çështje për t’u parë në vijim. Prandaj, edhe “revolucioni” i Vllaznisë gjatë këtyre javëve konsiderohet edhe si i rrezikshëm.
Maringlen ZHIVANI