Ribërja e Vllaznisë do të nisë pas 26 qer shorit. Kjo ka lidhje me datën e zhvillimit të mbledhjes së Asamblesë së klubit.
Pikërisht në këtë datë është vendosur të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ku anëtarët e saj janë njëherësh edhe anëtarët e Asamblesë së klubit.
Në këtë mbledhje pritet që të votohen edhe anëtarët e bordit të ri.
Por më parë duhet që anëtarët e bordit ekzistues të japin dorëheqjen. Një dorëheqje, e cila mund t’u kërkohet nga ana e presidentes së këtij klubi, kryebashkiakes Voltana Ademi.
Ka qenë pikërisht ajo që ka vendosur këta persona në këtë bord dhe është po ajo, që ka mbledhur specialistët e shumtë shkodranë për të krijuar kësaj here një bord jashtë Këshillit Bashkiak, persona jo të varur nga politika, por që kanë kontribuar për vite me radhë në fushën e futbollit.
Por këto veprime kërkojnë pa diskutim mbledhjen e Asamblesë së klubit, e cila është vendosur të zhvillohet në fund të këtij muaji.
Do të jetë pikërisht bordi i ri, i cili harton politikat financiare të klubit që do t’i hapë rrugë edhe caktimit të administratorit, drejtorit teknik e po ashtu edhe stafit të ri.
Pavarësisht se duket një datë e largët, ku edhe 15 ditë të tjera puna në klub dhe ekip nuk do të nisë akoma, sërish duhet thënë se për të ndërtuar një ekip që të mundësojë kalimin e kësaj skuadre në Superiore, sërish koha është e mjaftueshme.
Vllaznia këto sezonet e fundit, pavarësisht se ishte pjesë e Superiores, punën për sezonin e ri e ka nisur pas datës 4 korrik.
KANDIDATËT Pavarësisht se duhet pritur data 26 qershor që t’i hapet rrugë ribërjes së klubit nga e para, ajo që duhet theksuar është se puna për ribërjen e tij ka kohë që ka nisur.
Kryebashkiakja Ademi, në rolin e presidentes së ekipit, ka kohë që diskuton me specialistë të shumtë për të bërë të mundur që të ribëjë gjithçka nga e para, në mënyrë që të ndërtohet ai ekip që do të mundësojë rikthimin e ekipit në Superiore.
Janë dhënë emrat që do votohen si anëtarë të bordit të klubit, të gjithë figura të këtij sporti.
Po ashtu, po përflitet edhe për dyshen që mund të administrojnë klubin, ku emrat e Lazër Maisë, presidentit aktual të ekipit të femrave të Vllaznisë dhe ish-sekretarit të klubit shkodran para pak vitesh, Agim Medja, duken më të favorizuarit./panorama-sport/