Nëse sot Vllaznia do niset drejt Ulqinit, sigurisht që do publikohet edhe lista e lojtarëve që do udhëtojnë për të zhvilluar fazën përgatitore. Pikërisht këta lojtarë, do jenë edhe ata që do përbëjnë skuadrën në pjesën e dytë të sezonit. Zakonisht kështu ndodh prandaj dhe një listë e tillë thuhet të jetë duke u hartuar edhe në kampin shkodran. Por ajo që bie në sy tek lista ende e pashpallur është mungesa në të e disa lojtarëve që kanë qenë titullarë në skuadër në fazën e parë të kampionatit.
Gentian Muça, Olsi Gocaj, Arsen Sykaj janë emrat më “VIP” të kësaj liste por kuptohet që ajo është më e gjatë dhe në të mund të ketë edhe emra të tjerë. Për shembull, malazezi Petroviç dje nuk ka qenë sërish në stërvitje dhe me shumë mundësi e ka shpallur divorcing me kuqeblutë. Po ashtu edhe portieri I tretë Rexhepi ka munguar edhe ai në stërvitjen e djeshme sepse është shumë pranë kalimit tek Naftëtari. Në këtë mënyrë, kontigjenti I kuqebluve reduktohet shumë dhe ky mund të quhet “revolucioni” Vata. Duke I shtuar këtyre lojtarëve edhe Vajushin, Sukajn, Danajn e NImanin që zyrtarisht nuk janë më pjesë e skuadrës, kontigjenti I Vllaznisë reduktohet së tepërmi. Madje lista mund të jetë edhe më e gjatë dhe sigurisht që ka shumë dilema për ata që do vijnë. Përmendja e Muçës si një nga lojtarët e mundshëm për t’u larguar, sigurisht që është disi surprizë dhe del për herë të parë në skenë. Ndoshta ardhja e lojtarit të kombëtares së Andorës Sergi Moreno që luan në të njëjtin pozicion në mesfushë, ka bërë që Vata të mos e mendojë si zgjedhje të parë dhe natyrisht që tiranasi mund të largohet. Po ashtu, në stërvitje me Vllazninë janë dy qendërmbrojtësit e huaj, Singbo e Da Silva. Ka ardhur dje edhe kroati Vuk që luan po aty dhe në kushte të tilla, jo vetëm Petroviç, por edhe për Arsen Sykjen duket se nuk ka vend më në skuadër. E njëjta situatë edhe për Gocajn, një tjetër lojtar që thuhet se nuk mund është në planet e trajnerit. “Konflikti” në distancë që ai ka patur me të që në ndeshjen me Skënderbeun kur nuk e mori fare në ndeshje, duket se është ruajtur sërish ndonëse mesfushori shkodran ka luajtur në periudhën në vazhdim. Nëse do largohen këta lojtarë, sigurisht që mund të krijohej një gropë e madhe edhe për faktin tjetër se ende nuk dihet nga kush do zëvendësohet. Për lojtarë të kampionatit shqiptar ka pak shanse por nëse do vijnë nga jashtë, është pak problemi numri I të huajve ngaqë në fushë nuk mund të luajnë më shumë se 5 të huaj. Pikërisht kjo ide e trajnerit Vata për t’I larguar këta futbollistë, thuhet të mos jetë mirëpritur nga drejtori sportiv Armir Grima dhe administrator I klubit Kujtim Shaba. Ata duket se e kanë kundërshtuar dhe tashmë duhet pritur dita e sotme për të parë nëse Vllaznia do niset drejt Ulqinit dhe nëse po, kush do jetë në autobus. Nuk është çudi që lista e lojtarëve që nuk janë në planet e trajnerit, të shtohet edhe më ndonjë emër tjetër megjithatë kjo mbetet për t’u vërtetuar ditën e sotme.
Gjergj KOLA