Ndaj Ribnicës dy ditë më parë ka shënuar dy gola. E ka bërë këtë gjë edhe në miqësoret e tjera, atë me Adën dhe me Tërbunin. Sulmuesi kosovar Kastriot Rexha duket “I ringjallur”. Kritikat e shumta të fazës së parë janë lënë pas. Golat e shënuar në ndeshjet e fundit të saj por edhe në këto miqësoret në prag të nisjes së fazës të dytë, e kanë bërë atë të ndihet më I qetë. Sulmuesi nga Prishtina megjithatë duke folur nga Ulqin për “Shkodra Sport”, e ka pranuar se tashmë po kalon një moment ndryshe e për këtë është shprehur:
“Jam duke punuar fort. Mund të them se ka filluar të ambjentohem më shumë me ekipin dhe po punoj shumë në këtë drejtim. Në ndeshjet e fundit miqësore që kemi zhvilluar është e vërtetë se kam shënuar rregullisht dhe shpresoj që edhe në ndeshjet e kampionatit ta bëj një gjë të tillë sepse golat në miqësore nuk vlejnë shumë. Ata thjesht I paraprijnë kampionatit”. Kjo është mëse e drejtë. Golat në miqësore nuk vlejnë. Ai nuk dëshiron kurrsesi që kritikat e marra në fazën e parë të përsëriten. Duke folur në lidhje me atë çfarë ndodhi në pjesën e parë të sezonit, Rexha do të shprehej: Kritikat për sulmin në fazën e parë kanë qenë me vend sepse nuk kemi patur paraqitje të mira. Barra për shënimin e golave ra mbi mua dhe nuk isha krejt I gatshëm për ta bërë këtë gjë. Nuk munda t’I përballoj as kritikat por në fund e kuptova se gjërat duhet të ndryshonin. Gjeta forca dhe në ndeshjet e fundit të vitit të kaluar mendoj se ndryshova diçka dhe shansi që mu dha sërish nga trajneri, u mundova ta shfrytëzoj”. Në ditët e fundit, edhe nga mënyra e stërvitjes që po aplikon trajneri, duket se gjërat kanë për të shkuar më mirë për Vllazninë në sulm. Ai në çdo seancë, po merret jo pak me Rexhën, por edhe me Deliç, Dragoin dhe Hajdarin. Porosia e Bushatit është e qartë: lojtarët e sulmit duhet të luajnë sa më afër portës kundërshtare. Prandaj dhe shpresat janë për një paraqitje ndryshe. Këtë gjë e thotë edhe 24 vjeçari kosovar kur për gazetën tonë do shprehej: “Me ardhjen e trajnerit të ri dhe presidentit të ri mendoj se gjërat do jenë shumë më ndryshe. Jo se nuk kemi punuar me profesor Shpëtimin (Duron) por na u bllokuan rrugët e ecjes tonë. Doja të thoja se me eliminimin nga kupa, na ra morali dhe nga ana psikologjike ramë shumë poshtë. Me profesor Artanin (Bushatin) jemi duke punuar maksimalisht me nga dy seanca në ditë për të treguar lojë më të mirë dhe një Vllazni ndryshe nga ajo e gjysmës së parë të sezonit”. Gola në miqësore, përkrahje nga trajneri dhe shokët e skuadrës. Ambjenti tashmë duket në krah të Rexhës. Jo më kot, tashmë të gjithë presin prej tij gola edhe në kampionat. Madje vetë lojtari dëshiron ta bëjë një gjë të tillë që në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit, për të ndihmuar skuadrën por edhe për të qenë më I qetë në vetvete. “Dëshira ime është ta nis me gol në Korçë që në ndeshjen e parë. E them këtë për t’I shërbyer skuadrës por edhe për ta arritur golin shpejt në mënyrë që të mos më përsëritet e njëjta situatë si në fazën e parë kur të ndjej mungesën e presionit të golit”-ka thënë në fund Kastriot Rexha, sulmuesi kryesor I Vllaznisë këtë kampionat.
Gjergj KOLA