Rexha, keni më shumë se dy muaj në Shkodër, si e shikon atmosferën tek skuadra dhe në qytet?
Atmosfera është shumë e mirë. Jam i kënaqur me këtë qytet me tifozerinë e po ashtu dhe me skuadren. Për fat të mirë pas asaj ndeshjeje jo të mirë me Apoloninë ekipi ka fillu me paraqitë formën më të mirë në fushën e lojës dhe pas pesë javësh kampionat jemi stabilizuar në një farë mënyre. Po fillojmë me arritë dhe rezultatet e duhura e shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë. Prandaj në këtë formë në mund të jemi sa më lart dhe të luftojmë sa më shumë që të renditemi në vendet e para të klasifikimit.
Në opionion sportiv është gjithmonë në vëmëndje forma e juaj, pasi akoma nuk keni shënuar asnjë gol. Si e përjetoni këtë?
Me Bylisin unë nuk kam luajtur për shkak se kam qenë i dëmtuar. Po ashtu dhe në Kupë kam qenë pak me shqetësime dhe kam luajtur vetëm një pjesë loje. Sigurisht që nuk jam i kënaqur me këtë që po kaloj. E shoh që të gjithë tifozat janë të dëshpëruar e më shumë se ato jam unë. Por shpresoj që në të ardhmen do ta zgjidh situatën. Çdo ditë diskutoj dhe me mikun tim Iliri Nallbani se çfarë kam që nuk po arrij tek goli. Ndoshta fati akoma nuk është në anën time.
Në takimin ndaj Ilirisë keni patur një rast të artë për gol, kishit mundësi të zhbllokoheni, por gabuat sërish…
Po. Ndoshta do të ishte zhbllokimi por nga ngutja dhe dëshira e madhe unë nuk u tregova i saktë. I kam vënë kusht vetes që të jem më i kontrolluar e natyrisht të jem më efikas.
Kur erdhët tek Vllaznia e kishit menduar se nuk do të arrinit të shënonit në 4 javë kampionat?
Të them të drejtën nuk e kam menduar kurrë. Luajta në një ndeshje me Adën në miqësore kur isha në testim dhe shënova e mendova se do të kem një rrugë të suksesshme. Tani akoma nuk jam duke mundur të gjej formën time që kam patur por shpresoj shumë që edhe me ndihmën e zotit në ditët e ardhshme të ndryshoj. Kam besimin e të gjithë skuadrës. Sigurisht që më vjen keq që nuk jam duke munduar të iua shpërblej.
Ku mund të jetë defekti që nuk shënoni. Nuk furnizoheni ashtu siç duhet apo si e mendoni ju?
As vetë nuk jam duke mundur të gjej një mënyrë për të zgjidhur këtë problem. Skuadra është duke dhënë maksimumin. Ndoshta, ndoshta mund të jetë fakti që unë nuk kam luajtur asnjëherë vetëm. Kam luajtur pykë por kam patur dhe një sulmues tjetër përkrah. Ndoshta edhe ky problem mund të ekzistojë pasi akoma nuk kam arritur të tregoj atë formën time maksimale. Gjithsesi dhe i vetëm jam drejt një ambjentimi që tashmë pres të japë frutet e veta.
E keni kuptuar që në Shkodër janë të ndjeshëm për sulmuesat, sidomos kur ata nuk shënojnë?
Sigurisht që po. Që kur kam ardhur e kam kuptu një gjë të tillë. Ndoshta edhe me lujtë dobët por kur arrin të shënosh mund të justifikohesh. Por kur luan mirë e nuk shënon e di që është e vështirë pasi sulmuesi për atë punë asht. Unë jam profesionist e sigurisht duhet me i përballu qoftë kritikat apo lëvdatat. Unë kam një objektiv kryesorë që të arrij sa më shpejt të zhbllokohem pasi më pas mund të arrij dhe gola të tjerë. Shumë herë ndodh që një sulmues vonon të zhbllokohet por më pas mund të vijojë suksesshëm duke shënuar. Gjithsesi e rëndësishme është që skuadra të arrijë aty ku duhet.
A keni patur një bisedë me trajnerin për të kuptuar se cili mund të jetë çelësi i zhbllokimit tuaj?
Trajneri më ka besu maksimalisht e sigurisht që jemi mundu me gjëtë një zgjidhje. Po ashtu dhe me shokët e skuadrës kam një mbështetje maksimale e shpresoj shumë që në ditët e ardhshme të mund të dal aty ku duhet. Unë jam i kënaqur shumë me stafin teknik dhe gjithë atë punë që po bëhët. Gjithmonë mundohet që unë të gërshëtohem siç duhet më ekipin por akoma nuk e kemi arritur e sinqerisht nuk e kuptoj pse akoma nuk kam shënuar.
E keni menduar që në qoftëse vijoni në këtë gjendje mund të jetë kritike për ju në merkaton e janarit?
Sigurisht që e kam mendu një gjë të tillë. E di që merkatoja e janarit është shumë afër dhe shpresoj që deri atëherë të kem mundësi të tregoj vlerat e mia e të bindim stafin që unë duhet të qëndroj këtu. Por në të kundërt nuk ka zgjidhje tjetër e duhet të presim merkaton e janarit.
Takimi i radhës me Laçin, jeni riaftësuar për të luajtur?
Po jam në gjendje të mirë dhe i gatshëm për të luajtur. Ai që vendosë është trajneri dhe jam i gatshëm të luaj aq sa të më bësohet.
Si e mendoni këtë sfidë mund të fitojë Vllaznia?
Ne në çdo ndeshje kemi hyrë për të fituar. Skuadra po tregon një formë të mirë ku arritëm të fitonim dhe në fushë të huaj por mund të kemi zhgënjy në takimet brenda shtëpisë sonë. Por nuk duhet të gëzohemi me fitoren e arritur me Bylisin pasi në qoftëse nuk fitojmë këtë të dielë ajo nuk ka asnjë vlerë. Shpresoj të arrijmë një rezultat pozitiv që më këtë nenkuptoj një fitore me tri pikë. Në qoftëse arrijmë këtë, atëherë skuadra do të jetë në një gjendje shumë të mirë, duke patur parasysh që akoma nuk ka pësu humbje që pas ndeshjes së parë me Skëndërbeun. Në takimet e ardhshme kam shpresën se do të ketë dhe rezultate me të mira pasi kam besim të plotë tek skuadra.
Intervistoi Anton ZALLI
Falenderim i veçantë për Beqirin
Në intervistën e tij, Rexha ka kërkuar të bëjë një falenderim të veçantë për kapitenin e Vllaznisë Elvion Beqiri. Përveç ndihmës dhe mbështetjes që po i bën miku i tij Nallbani, kapiteni është një ndër lojtarët që e mbështet maksimalisht Rexhën duke i dhënë atij vazhdimisht optimizëm. “Më lejoni që të falenderoj në mënyrë të veçantë kapitenin e skuadrës Elvin Beqirin. Përveçse një kapiten, një lojtar i mirë është dhe një njeri i mirë. Shumë herë më mbështet e më jep forcë që të arrij të bëj më të mirën pasi e kupton qartë që unë jam duke e vuajtur mungesën e golit. Shpresoj që jo vetëm atij por të githëve të ju shpërblej për besimin e mbështetjen”, ka thënë Rexha.