Gjergj KOLA
Rexhildo Zeneli fitues në Pejë. Merr edhe kupën e boksierit më teknik
Tre boksierët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në turneun ndërkombëtare të zhvilluar fundjavën që shkoi në Pejë të Kosovës. I emërtuar “Epopeja e Dukagjinit”, në këtë turne kanë marrë pjesë të gjithë boksierët më të mirë të Kosovës, të Maqedonisë por edhe tre boksierë të ekipit të Vllaznisë së Shkodrës të drejtuar nga trajneri Zef Gjoni. Ata kanë bërë një paraqitje shumë të mirë madje boksieri Rexhildo Zeneli jo vetëm ka zënë vendin e parë në peshën e tij por ka marrë edhe kupën e boksierit më teknik të turneut. Zeneli ka konkurruar në peshën 60 kilogramë dhe ka fituar me rezultatin 3-0 me boksierin kosovar Vranovci. Ndërkohë boksieri tjetër Arjon Kajoshi ka bërë një paraqitje shumë të mirë në peshën 75 kilogramë teksa përballë ka patur boksierin kosovar Elezaj. Ndonëse sportisti I Vllaznisë ka dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit, çuditërisht gjyqtaria e ka mbyllur në barazim 1-1 këtë takim. Boksieri tjetër shkodran Izmir Alija, ndonëse shumë I ri në moshë, ka boksuar në mënyrë të shkëlqyer ndaj kosovarit Delijaj dhe në fund ndonëse e ka humbur ndeshjen, është vlerësuar nga gjyqtaria me një kupë të veçantë duke e përzgjedhur këtë takim si më të bukurin e aktivitetit.Kësisoj paraqitja e tre boksierëve të Vllaznisë në këtë turne në Pejë mund të konsiderohet shumë e mirë ndërkohë që tashmë ekipi shkodran do të përgatitet për Memorialin e 12-të ndërkombëtar që do të nisë më datë 15 prill në Shkodër.