Ndonëse u shkëput në fillimin e këtij sezoni nga Vllaznia në volejboll për meshkuj për tu larguar drejt Gjermanisë akoma nuk është harruar lehtë. Bëhet fjalë për ish-kapitenin e kësaj skuadre, Rezart Prela. Sot në drejtim të tij kanë shkuar shumë urimë nga miqtë kudo brenda e jashtë Shqipërisë. Prela sot ka një ditë të veçante sepse mbush plot 26 vite. Ndaj ish-kapiteni i kuqebluve të volejbollit vijon të gëzojë të njëtin respekt kudo, sidomos në mjedisin sportiv në Shkodër. Për vite me radhë ai bashkë me trajnerin Artan Kalaja dhe pjesën tjetër të volejbollistëve na rikthyen një Vllazni dinjitoze në sportin e volejbollit. Sezonet e fundit shpesh herë kjo skuadër ishte pretendente serioze për fitimin e trofeve, e natyrisht kjo edhe për meritë të Prelës. Shkodrani gjithnjë është shquar për qetësinë e tij në fushën e lojës, teknikën, lojën e mirë dhe mbështetjen e nxitjen që i ka dhënë ekipit në tërësi për arritjen e rezultateve pozitive. Për disa vite u zgjodh edhe në listën e 10 sportistëve më të mirë që organizohet nga klubi shumësportesh “Vllaznia”. Natyrisht që tashmë të vjen keq një një sportist i tillë për momentin nuk bën pjesë në skuadrën e Vllaznisë. Largimi i tij drejt Gjermanisë për tu përkushtuar studimeve universitare në fushën e drejtësisë ka krijuar jo pak probleme tek kuqeblutë e volejbollit. Hapësira e lënë nga ai akoma nuk është plotësuar. Mungesa e Prelës është ndjerë në lojërat që skuadra ka zhvilluar këtë sezon. Patjetër që edhe ai vetë nuk ndjehet mirë për këtë situatë në ekipin e tij të zemrës. Megjithatë Rezarti i uron shumë suksese Vllaznisë dhe shpreson që situata të ndryshojë sa më parë dhe ekipi të rikthehet tek rezultatet pozitive. Në ditën e tij të lindjes pjesë e urimeve ka qenë edhe dëshira për një rikthim të tij të mundshëm tek Vllaznia gjë të cilën vetë volejbollisti nuk e ka mohuar edhe pse për momentin është i përkushtuar në një tjetër fushë. Edhe stafi i gazetës online www.shkodrasport.com i uron 100 vite jetë Rezartit dhe sa më shumë suksese në jetën e tij. Gëzuar ditën e lindjes Rezart!