Nga Endri ÇINARI
Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ditën e djeshme kundër Laçit. Dueli i vlefshëm për javën e 13-të të Superiores, nuk nxorri asnjë fitues. Duke lënë kështu totalisht të pakënaqur ambientin kuqeblu. Ku skuadra nuk po di të dalë nga momenti negativ për tu rikthyer tek fitoret.
Por ndeshja ndaj laçianëve kishte një notë goxha pozitive dhe këtu bëhet fjalë për Gledjan Pusin. Mbrojtësi e nisi si titullar sfidën ndaj bardhezinjëve dhe mund të thuhet me plot gojën që ishte më i miri në fushë për të dy ekipet. Detyra për të mbuluar një prej sulmuesve më të mirë të kampionatit siç është Sobowale u krye me sukses nga shtatlarti.
Madje mund të themi se sulmuesi anglez ishte një hije e vetvetes në duelin e djeshëm. Trajneri Osmani pasi konstatoi se Stojanovic nuk ia doli të luante, e po ashtu edhe me mungesën e Cheshmjedev, qendra e mbrojtjes iu besua dyshes Juric-Pusi. 21-vjeçari zhvilloi një 90 minutësh thuajse perfekt e tashmë mund të jetë një titullar edhe në javët në vijim.
Ku duket se për dy qendër mbrojtësit ballkanas tashmë do jetë e vështirë për të zënë vendin e Pusit. Ku performanca në rritje nga java në javë kanë bërë që stafi teknik ta shikojë me një sy tjetër numërin 3 të skuadrës shkodrane.