Ai ishte protagonisti kryesor në fitoren e Vllaznisë në shifrat 2-1 kundër Skënderbeut. Andi Ribaj shënoi një dopietë në javën e 27-të përballë korçarëve për ti dhënë kuqebluve një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Në një pronocim për Newsport.al, ai flet për golat kundër korçarëve dhe tregon pse nuk festoi kundër tyre. ‘Bomberi’ ndalet edhe te forma e tij dhe ajo e ekipit si edhe te kundërshtarët direktë këtë sezon, Teuta.
Vlonjati për Newsport.al u shpreh: “Jam shumë i lumtuar për golat kundër Skënderbeut pasi këto gola janë edhe një çlirim për mua. Kisha dy arsye për të mos festuar përballë korçarëve.
E para është se kam derdhur djersë për atë ekip dhe kam një respekt shumë të madh dhe e dyta për një të afërm timin që ka humbur jetën tani afër.
Forma ? Mendoj se po gëzoj një formë optimale. Si unë edhe ekipi po ashtu. Kemi shumë ndeshje brenda në fazën e katërt që duhet ti marrim një e nga një për të arritur objektivat e ekipit”.
Sulmuesi ndalet edhe te Teuta, rivali kryesor i shkodranëve: “Teuta ka një ekip shumë të mirë dhe po rivalizon shumë fort. Deri në fund do shikojmë se si do shkojnë gjërat, por e rëndësishme është që Vllaznia të jetë midis me të mirëve ne fund të sezonit.
A do festoj nëqoftëse do i shënoj Teutës ? Nuk besoj se do festoj nëqoftëse ndodh diçka e tillë”.