Ridvan Kulli: Ada, ekipi që duhet mundur
Ndoshta mund të jetë një ndër ndeshjet me specifike për Besëlidhjen, deri tani, përballja këtë javë, me Adën e Velipojës. Ndeshja luhet në Lezhë dhe në këtë drejtim vendasit duken disi të favorizuar, aq më tepër, që në fushën e vet, Besëlidhja në këtë sezon njeh vetëm fitore. Por trajneri i kësaj skuadre Ridvan Kulli ka tjetër mendim, ndoshta duke njohur mirë skuadrën fqinje, në të gjitha drejtimet apo pikëpamjet, e në mënyrë të veçantë futbollin shkodran. Së pari, pavarsisht renditjes, ka të bëjë me një ekip të fortë dhe në formë dhe së dyti vjen nga shkolla e futbollit shkodran. “Pavarsisht opinionit të të tjerëve, unë mendoj krejt ndryshe për takimin me Adën. Unë edhe i vlerësoj krejt ndryshe, në raport meë të tjerët. Vërtetë kemi patur një ecuri shumë pozitive deri tani, ne si Besëlidhje, por velipojakëve nuk u zihet besë asnjëherë. Së pari ata kanë një ekip të fortë, por edhe në formë, me lojtarë, që janë të alternuar mjaft mirë, rinia me eksperiencën. Kanë dëshirë dhe ego të madhe për fitoren, kjo jo se na mungon neve, por gjithsesi duhet patur kujdes. Mbi të gjitha është një skuadër, që furnizohet gjithnjë me futbollistë shkodran dhe kjo nuk është pak, që do të thotë se kanë traditë, e njohin konkurencën dhe futbollin e bukur, por edhe dinë të marrin pikë jashtë, pra kanë mentalitet. Kështu duhet të kemi shumë kujdes ndaj këtij kundërshtari, ndoshta, për nga mentaliteti, mund të jetë skuadra më e rrezikshme, që ka ardhur deri tani në Lezhë”, ka pohuar trajneri i Besëlidhjes Ridvan Kulli. Ndonëse ai e vlerëson Adën si një ekip, që nuk është lehtë për t’u mundur, por gjithsesi në krahun tjetër, ai ka besim tek vlerat e skuadrës së tij, aq më tepër, që nesër do ta ketë të plotë, me formacionin e tij, qoftë edhe nga stoli i rezervave. “Pavarsisht vlerësimit që i bëjmë skuadrës kundërshtare, unë kam besim tek fitorja e skuadrës sime. Ndonëse gjithnjë kam qenë dhe jam i mendimit që të mos flas parakohe, por çdo gjë t’ia lë fushës së lojës, mund të them se gjatë gjithë javës jemi përgatitur dhe stërvitur, vetëm për të fitore. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe me rivalitet dhe natyrisht dua dhe kam besim tek lojtarët e mi se do të bëjnë, edhe në këtë ndeshje, ashtu si në ndeshjet e tjera të kaluara, ku i kemi fituar të gjitha takimet brenda. Vetëm për këtë rezultat luajmë në fushën tonë”, ka mbyllur prononcimin e ti, trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli.