Klubet e Serisë A po përgatiten seriozisht për idenë se në muajin maj mund të zbresin në fushën e lojës. Bisedimet e sotme të Ligës së Futbollit në Itali dhe Federatës ka shërbyer pikërisht për të detajuar një pjesë të planit për eventualitetin e kthimit në fushë dhe mënyrës më të sigurt për të rifilluar.
Me sa duket zgjidhja që kanë gjetur për momentin është ajo e zhvillimit të sa më shumë testeve për koronavirus. Sipas mediave italiane, plani parashikon që lojtarët në grupe të vogla të shkojnë në bazën stërvitore dhe aty t’u nënshtrohen testeve e të qëndrojnë në izolim të plotë deri në përfundimin e tyre.
Kush rezulton negativ i bashkohet pjesës tjetër të grupit dhe qëndron në stërvitje i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në fund të sezonit, ose derisa të dalë një normativë e re ligjore që u mundëson më shumë kontakte me botën jashtë futbollit.
Kjo ka shtyrë klubet që të nisin kërkimet në treg për të blerë vetë shumë tamponë, pasi do t’u duhen për kontrollet periodike të lojtarëve por sigurisht edhe të stafit që do të përkujdeset për ta. Ndërkohë, FIGC po mendon që stërvitjet të rifillojnë më 3 maj, në të njëjtën datë për të gjithë, ndërsa në javën e fundit të muajit, do të rifillonte kampionati.
Kështu skuadrat do të kishin kohën e mjaftueshme për të kthyer në gjendjen e duhur sportive futbollistët, për të mbyllur këtë sezon e ndoshta për të filluar menjëherë edhe atë pasardhës. /vipsport/