Tërbuni vazhdon përgatitjet për Skënderbeun. Luajnë të hënën, ndaj vetëm të dielën do të udhëtojnë drejt Korçës. Pukjanët mendoj se nuk do të kthehen bosh nga kjo transfertë dhe i këtij mendimi është Rigers Xhahysa, një nga 5 afrimet e merkatos së dimrit.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon emocionet që do të luajë në ekipin kur dikur ka kontribuar edhe xhaxhai i tij (Altin Xhahysa). “Për mua është kënaqësi të luaj për Tërbunin, fanellë që vite më parë e ka veshur xhaxhai im. Falënderoj drejtuesit për shansin që më dhanë. Do të jap më të mirën për këtë skuadër, që objektiv ka ngjitjen në elitë.

Diferenca me ekipet e kreut, na lejon të shpresojmë. Vetëm 7 pikë na ndajnë nga vendi i parë dhe 4 nga i dyti. Kam gjetur një ekip të ndërtuar me lojtarë profesionistë dhe në harmoni të plotë”, tha fillimisht mesfushori 21-vjeçar. I pyetur për konkurrencën, ai thotë:

“Nëse unë do të aktivizohem duke nisur nga takimi i radhës, do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia për të ndihmuar ekipin të dalë te rezultati pozitiv. Kjo ndeshje konsiderohet e vështirë, por ne jemi përgatitur të mos dalim pa pikë. Ky ekip e meriton të bëhet pjesë e elitës”.