Rikard Lekaj, paraqitje dinjitoze në Botërorin e Kick- Boksit
Shqipëria është shumë pranë arritjes së një rezultati historik në sportin e Kick Box. Kuqezinjtë po marrin pjesë në Kampionatin Botëror në Maqedoni që ka nisur para disa ditësh dhe tashmë është drejt përfundimit. Pjesë e Kombëtarës tonë është edhe shkodrani Rikard Lekaj. Ai garon në peshën 70 kilogram. Lekaj në ndeshjet e zhvilluara deri tani në Shkup ka bërë një paraqitje të shkëlqyer teksa ka arritur të kualifikohet mes 8 më të mirëvë të Kick Box të gjithë botës. Fillimisht shkodrani fitoi pa probleme ndeshjen e parë, arriti të mund edhe kundërshtarin e tij të dytë dhe po ashtu fitoi edhe sfidën e tretë. Pas tre ndeshjeve të para Lekaj siguroi një vend mes 16 më të mirëve. Por suksesi i tij nuk mbetet me kaq. Shkodrani tashmë mes 16 sportistëve më të mirë të Kick Box bën pjesë në fazën me eleminim direkt. Ai zhvillon edhe ndeshjen e katërt. Përballë ka një kundërshtar të vështirë por arrin të dalë triumfues dhe të jetë mes 8 më të mirëve. Një rezultat shumë i mirë ky për vetë Lekajn dhe aq më tepër për Shqipërinë. Tashmë lufta në botërorin e Kick Box është shumë më e fortë sepse në 8-she janë sportistët që kanë arritur medalje në arenën Ndërkombëtare e gjithnjë rezultate të larta në çdo event. Megjithatë shkodrani nuk do të ndalet me kaq dhe me ngulm do të kërkojë që të vazhdojë ecurinë pozitive nga ku kërkon të fitojë takimin e radhës për tu kualifikuar mes 4 më të mirëve e pse jo për të pretenduar një vend edhe në podium. Lekaj objektiv të tij në këtë botëror ka patur fitimin e ndonjë medaljeje dhe duket se është në rrugë të mbarë. Një meritë për këto rezultate padyshim ka Arbis Vjerdha, shkodrani i cili nuk ka shumë kohë që mori iniciativën i vetëm pa ndihmën e askuj për ta zhvilluar sportin e Kick Box në Shqipëri. Vjerdha po përgatit një brez të artë në sportin e Kick Box gjë të cilën e tregojnë mësëmiri rezultatet e larta në turnetë dhe garat e ndryshme ku Shqipëria ka marrë pjesë teksa tashmë gjënden shumë pranë një rezultati historik.