Vllaznia iu rikthye dje fushës stërvitore, pas dy ditëve pushim të lëna nga stafi teknik, pas ndeshjes me Laçin. Trajneri gjerman nuk e ka ulur ritmin stërvitor, me kuqeblutë që dje kryen dy seanca.

Gjatë pasdites është punuar me topin, në kuadër të ndeshjes së javës së parë të kampionatit me Partizanin në transfertë. Stafi teknik është përqendruar tek ana taktike, apo skemat e lojës që mund të përdoren gjatë ndeshjes në kryeqytet. Me grupin vazhdon të jetë mbrojtësi i majtë, Arton Podrimcaku, i cili është në provë dhe ende nuk ka një vendim nga klubi shkodran.

Vijojnë të mungojnë ndërkohë për shkak dëmtimi sulmuesi Ildi Gruda dhe mesfushori Amir Kahrimanovic. Të dy këta futbollistët nuk pritet të jenë të gatshëm për trajnerin Brdariç për ndeshjen e së hënës së ardhshme. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me mbrojtësin Bajrami, i cili mungon prej disa javësh po për shkak dëmtimi.

Me ekipin janë rikthyer tashmë në intensitet të plotë në stërvitje mbrojtësit Jago dhe Beci. Ky është një lajm i mirë për stafin kuqeblu, edhe pse mungesat e Grudës dhe Kahrimanoviç rëndojnë, pasi janë dy lojtarë me peshë.