Devolli siguroi një fitore shumë të rëndë sishme në transfertën e vështirë të Memaliajt me rezultatin minimal 1-0. Një 3- pikësh që e bën Devollin të kryesojë së bashku me Maliqin dhe Shkumbinin me nga 25 pikë.
Sfida u vendos nga goli i Canes që shënoi me 11-metërsh. Afër fundit të takimit, një prej tifozëve vendës hyn në fushë dhe godet me grusht gjyqtarin anësor, ndërsa takimi u ndërpre për shtatë minuta.
Ndeshja – Miqtë e fillojnë lojën me kundërsulme, ndërsa vendësit i kushtojnë më shumë rëndësi mbrojtjes. Rapo, më i miri në fushë, në të 61-ën pengohet në zonë dhe gjyqtari Sulku akordon 11-metërsh për Devollin. Gjuan kapiteni Cane dhe 0-1.
Vendësit nuk pajtohen me këtë dhe tekniku Zhupa bën dy zëvendësime për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, nga ana e djathtë e stadiumit, një tifoz kapërcen rrethimin dhe godet me grusht gjyqtarin anësor.
Këtu loja ndërpritet dhe forcat e sigurisë dhe ato të policisë bashkiake bëjnë të mundur izolimin dhe kapjen e personit. Pas 7 minutave loja rifillon sërish.
Edhe pesë minutat shtesë nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat ku miqtë arrijnë të ruajnë deri në fund këtë 3- pikësh të rëndësishëm. Vendësit këtë sezon kanë bërë paraqitje shumë të mira, por dje nuk kanë arritur që ta shmangin dot humbjen përballë një prej pretendentëve për ngjitjen në të Parën.