Pas dy vitesh ndërprerje, sot ka rinisur sërish kampionati kombëtar i hendbollit. Këtë herë me pjesmarrjen e katër ekipeve, pikërisht Vllaznisë, Elbasanit, Tiranës dhe Flamurtarit. Java e parë ka dhuruar sfidën e parë, atë në mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Kjo ndeshje është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është shoqëruar me mjaft rivalitet por në fund kanë qenë miqtë ata që kanë fituar me rezultatin e ngushtë 24-23.
Pavarësisht humbjes, trajneri i ekipit shkodran Artan Durraj që është njëkohësisht edhe lojtar, është shprehur i kënaqur për rikthimin e këtij sporti sërish në Shkodër dhe ka shprehur besim se e ardhmja e tij do të jetë më e mirë. Në këtë mënyrë, hendbolli në Shqipëri dhe në Shkodër rikthehet të luajë sërish. Një sport i dashur për rininë dhe natyrisht që duhet zhvilluar, për më tepër që në ditët e ardhshme ka premisa edhe për ndryshime të tjera pozitive pas zgjedhjeve që pritet të bëhen në Federatën e këtij sporti.
Gjergj KOLA