Pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, pasditen e sotme do të luhen ndeshjet e para të fazës së dytë të tij. Sigurisht që vëmendja më e madhe është e përqendruar tek sfida që do të luhet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit në mes Teutës dhe Vllaznisë. Themi interesante sepse durrsakët aktualisht janë një nga ekipet më të mira të vendit me paraqitjen e bërë dhe mbajnë vendin e dytë në renditje.

Sakaq edhe Vllaznia nuk ka dëshirë të heqë dorë nga pretendimet e saj në këtë kampionat dhe pas disa paraqitjeve të mira në ndeshjet e fundit do të tentojë ta bëjë një gjë të tillë edhe në Durrës. Për më tepër “për të marrë hak” ndaj Teutës për atë humbje që i shkaktoi në javën e parë në Shkodër. Në atë periudhë, Vllaznia vinte krejtësisht e papërgatitur sepse kishte vetëm një javë që kishte nisur stërvitjet për shkak të problematikës që ka patur dhe natyrshëm e humbi këtë sfidë por vetëm me 10 pikë diferencë. Sonte ndërkohë do të kërkojë të tregojë tjetër gjë dhe të tentojë fitoren, e cila do ta bëntë të besonte këtë skuadër se është e denjë për vendin e dytë të paktën në kampionat. Ndeshja e sotme do të nisë në orën 18.00 dhe pritet me interes nga të dy tifozëritë.

© shkodrasport.com