Laçi rikthehet te firoja, duke mundur Luftëtarin në Gjirokastër, me rezultatin 0-1, falë një goli të Ndriçim Shtubinës. Në një ndeshje pa raste dhe të zymtë, si atmosfera në stadiumin e zbrazur të bluzinjve, kurbinasit morrin maksimumin e pikëve, duke bërë kthesën pas dy humbjeve radhazi. Në anën tjetër Luftëtari nuk arrin që të shfrytëzojë hapin fals të Tiranës dhe mbetet në kuotën e 9 pikëve, po aq sa dhe badheblutë.
Ndeshje ishte me një ritëm të ulët dhe nuk pati shumë raste të rrezikshme aq sa në pjesën e parë për t’u veçuar ishte rasti i golit të anuluar në sekondat e fundit të pjesës së parë. Pas ekzekutimit të një goditje dënimi, Toro devijoi në shtyllën e dytë, ku Gjoni dhe Rapo në dyluftim e çuna topin në rrjetë. Kryesori Shahini akordoi faull në sulm, por nuk ishin të pakta protestat e bardhezinjve.
Edhe në pjesën e dytë rastet ishin me pikatore, aq sa rasti i parë i rrezikshëm mund të konsiderohet ai i golit. Kur duheshin pak më shumë se 10 minuta për të përfunduar ndeshje, Jonuzi hodhi një top në zonë nga e mata, në dukje pa pretendime, por mbrojtja vendase e përgjumur i dha mundësinë Shtubinës që ta devijonte topin, për t;i dhënë udhën drejt rrjetës.
Në minutat e mbetura ndeshja u bë disi më interesante, pasi vendasit u hodhën në sulm, megjithatë duke lënë shumë hapësira pas. Xhixha kishte mundësinë për të mbyllur ndeshjen, por nuk arriti që ta mposhte Ruçin.