Vllaznia rikthen skuadrën e të rriturave në volejboll për femra. Shkodranet sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kampionatin Kombëtar për të rritura. Kjo skuadër i ka munguar prej vitesh Shkodrës dhe shpesh herë për dikë ka qenë edhe shqetësuese. Mungesa e skuadrës së femrave të volejbollit për dashamirësit e sportit ka qënë e papranueshme.

Ky ekip ka një periudhë të gjatë prej afro 20 vitesh që mungon dhe tashmë do të rikthehet sërish. Që para tre vitesh ishte trajnerja Sadije Goga ajo që krijoi një ekip me vajza të një moshe të vogël. Që atëherë, menjëherë mori pjesë në Kampionatin e të rejave. Fillimisht vetem mori pjese ne kampionat, vitin e dyte arriti te renditet ne vendin e trete dhe pas tre vitesh arriti te shpallet kampione e Shqiperise. Ndërkohë që pas këtij momenti, menjëherë lindi pyetja nëse ky ekip do të vijojë të garojë me të rejat apo do të merrej vendimi që të gjithë e dëshironin, pjesëmarrja në Kampionatin e të rriturave. Tashme vjen edhe konfirmimi zyrtar. Pas diskutimeve në “Sport Klub Vllaznia” dhe me Federatën Shqiptare të Volejbollit, është gjetur gjuha e përbashkët dhe të gjithë kanë rene dakord. Patjetër që do të jetë një mision i vështirë. Volejbollistet kanë një moshë të re, nuk kanë eksperiencën e duhur, por nga ana tjetër kanë besim të fortë në vetvete, gëzojnë talent dhe ç’është më e rëndësishmja kanë vullnet dhe dëshirën e madhe për të arritur sukses. Premtimet apo objektivat që në Kampionatin e parë ku shkodranet do të marrin pjesë natyrisht nuk do të jenë të mëdha. E rëndësishme është pjesëmarrja, fitimi i eksperiencës dhe maturimi i vajzave të reja shkodrane. Këto do të vlejnë për të ardhmen dhe ndoshta jo shumë larg në kohë, nuk duhet të çuditemi nëse Vllazninë do ta kemi ndër skuadrat e cila do të rivalizojë denjësisht për fitimin e trofeve per ti kthyer Shkodrës lavdinë e dikurshme që padyshim e meriton.