Vllaznia duhet të lërë pas eliminimin nga Kupat e Europës dhe të nisë të mendojë menjëherë për sezonin e ri në futbollin shqiptar. Përgatitjet për të do të nisin Brenda javës që vjen dhe ndërkohë kuqeblutë në këtë moment kanë marrë një lajm shumë të mirë nga infermieria.
Flori Spahija, qendërmbrojtësi i majtë i kësaj skuadre i cili shpeshherë ka luajtur edhe në rolin e mbrojtësit të këtij krahu, tashmë është i gatshëm për trajnerin Thomas Brdariç dhe stafin e tij. Ky është një rikthim pikërisht në kohën e duhur sepse skuadra shkodrane po shfaq pasiguri në repartin e prapavijës dhe 21 vjeçari do të jetë një element më shumë në dispozicion të stafit Teknik.
Sezonin e kaluar paraqitjet e tij në ndeshjet miqësore, por dhe në ato të Kupave të Europës, krijuan bindjen se ai do të ishte një element i rëndësishëm për skuadrën. Për fat të keq nuk ndodhi kështu sepse një dëmtim i gjatë në ligamentet e gjurit, e detyroi atë të qëndronte për shumë muaj larg fushës së blertë.
Tashmë ekipi i mjekëve që kanë kryer operacionin dhe kanë bërë ndjekjen e procesit të rikuperimit të tij sëbashku me stafin mjekësor të Vllaznisë, kanë bërë të ditur që Spahija është rikuperuar plotësisht. Gjatë këtyre muajve nën kontrollin e mjekëve dhe stërvitjen intensive nën drejtimin e Roland Peqinit, Spahija është i gatshëm për trajnerin Brdaric dhe stafin e tij.
Si rrjedhojë nga e mërkura e javës që vjen, Flori Spahija do të ribashkohet në stërvitje me ekipin e Vllaznisë dhe urojmë që ky futbollist i dalë nga Akademia kuqeblu dhe që ka qenë rregullisht pjesë e ekipeve kombëtare të moshave, të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës dhe të japë kontributin e tij për ngjyrat kuqeblu./www.shkodrasport.com/