Në Itali nuk kanë zgjedhur ende trajnerin që do të drejtojë përfundimisht përfaqësuesen në kualifikueset e EURO 2020, po ai i përkohshmi, Xhixhi Di Biaxhio, po bën gati listat për ndeshjet miqësore të marsit kundër Argjentinës dhe Anglisë.

Sipas mediave italiane, i pranishëm do të jetë edhe një emër që i mungonte kësaj përfaqësueseje prej katër vitesh, Mario Baloteli.

“Corriere Dello Sport” ka mësuar se trajneri do të përfshijë në listë shumë emra që janë injoruar më parë nga Ventura, për t’i provuar në këto dy ndeshje, edhe pse në fakt Baloteli nuk është një emër i panjohur për publikun italian.

Sulmuesi cilësohej si e ardhmja e Italisë por problemet e tij jashtë fushës së lojës bënë që ai të harrohej për disa kohë, deri në “ringjalljen” e tij në radhët e Nicës në Francë.

Ndërkohë, ka një tjetër kthim të bujshëm në Kombëtare, atë të Xhixhi Bufon.

Edhe pse portieri i ka dhënë lamtumirën të kaltërve, ai pritet të luajë edhe miqësoret e fundit deri në emërimin e trajnerit të ri, në mënryë që të ndihmojë Di Biaxhion në administrimin e grupit, më shumë në rolin e trajnerit se sa të portierit. /vipsport/