Ditën e djeshme, të gjithë u befasuan kur në protokollin e ndeshjes panë emrin e Marko Juriç në qendër të mbrojtjes së Vllaznisë nga minuta e parë.

“Shkodra Sport” ka mësuar se ky vendim i stafit dhe trajnerit Mirel Josa ka ardhur për shkak të alarmit dhe emergjencës të krijuar në repartin e prapavijës përpara ndeshjes me Teutën.

Qendërmbrojtësi 28-vjeçar kishte pësuar një dëmtim në gju pak kohë më parë, teksa mungoi edhe për dy-tre javë, por fatmirësisht ai u kthye ditën e djeshme për të luajtur në qendër të mbrojtjes së Vllaznisë nga minuta e parë.

Tashmë, Juriç pa frikë mund të thuhet se do të jetë i gatshëm për Vllazninë edhe në ndeshjen e parë të vitit 2023 ndaj Partizanit, që do të luhet në “Air Albania” ose në stadiumin “Partizani”.

Ndërkohë, ndaj të kuqve të kryeqytetit, me shumë mundësi do të jetë kthyer edhe Liridon Latifi, i cili vuan një problem në kavilje dhe vijon prej disa javësh terapinë për rikuperimin e plotë.
Maringlen ZHIVANI