Analizë nga Irfan RAMA

Vllaznia rikthehet magjishëm në Superligë. Realizon fitoren e 5-të radhazi brenda në Tiranë me skuadrën “kuçedër” të Partizanit që me plot meritë ka kryesuar kampionatin. Vllaznia realizoi një lojë shumë të bukur e spektakolare nga mënyra e ndërtimit të lojës dhe interpretimit mbresëlënës të lojës së saj të mbyllur dhe të hapur, tejet elegante teknike, të lëmuar, fantazore, me driblime e pasime të sakta, me një kryenaltësi princërore për t’u lavdëruar e ngritur kujtesa.

Dhe menjëherë nëpërmend të vijnë fitoret e shpeshta historike në Tiranë qysh në vitet 30 të shekullit të 20-të në kampionatet e para të Shqipërisë së para luftës, fitoret e kampionateve 1945, 1946 dy herë rresht kur Loro Boriçi, Muç Koxha, Xhevdet Shaqiri, Muhamet Dibra e Dod Tahiri me shokë e më pas në vitet ‘70 kur Ramazan Rragami, Mehdin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Ismet Hoxha, Halil Puka, Lekë Koçobashi, Millan Vaso, Hajrollah Leka me shokë ngrinin kupën e kampionit dhe fitueses së Kupës së Republikës, të dyja së bashku në vitin 1972 me trajnerin legjendar ish-futbollistin e Vllaznisë, Dinamos e përfaqësueses shqiptare, Xhevdet Shaqiri. E më pas në vitin 1974 sërish kampion. Më pas gjeneralët e tjerë të futbollit spektakolar shkodran si Astrit Hafizi, Suad Duraj, Ardjan Arra, Seit Çanga, Ferit Rragami, Hysen Znijani, Luan Vukatana, Ferit Borshi, Roland Luçi, Ilir Kepa e deri tek më të afërtit Edi Martini, Armir Grima, Vioresin Sinani, Hamdi Salihi, etj., i dhanë Vllaznisë e sportdashësve të shkëlqyer shkodranë kupa e kampionate të tjerë duke përcjellë përherë magjinë e bukurinë e futbollit shkodran e shqiptar. Vllaznia e sotme e Baldo Rainerit, italianit fluturak në qëllim dhe veprime planore pas ndeshjeve e me nivel tepër të lartë shkencor për futbollin – gjë që e rrëfejnë edhe futbollistët dhe akademistët e Vllaznisë – me kapitenin 34-vjecar e me shumë eksperiencë kombëtare e ndërkombëtare tashmë të rinuar rishtazi Elvin Beqiri që shënoi atë gol spektakolar me të pasmen e kokës në minutën e 94-t në fundjavë ndaj Laçit të fortë, portierin shumë në formë Selimaj, Ndriçim Shtubinën të shpejtë e teknik, që ka shënuar katër gola këtë kampionat, të rinjtë shumë të talentuar Gocaj, Kruja, Tafili, Krymbi, Sykaj, Hajdari, Kalaja, qendërmbrojtësi shtatlartë Mehmedoviç etj, përbëjnë ansamblin fantazik që do të përcjellë bëma dhe novitete në të ardhmen e shpejtë. Ndonëse tekniku italian është tepër modest kur thotë se ne duam të mbijetojmë, ai e ka në kokë Vllazninë moderne e pse jo të suksesshme edhe në Europë për të sjellë edhe fitore të bujshme si ajo kundër Austrisë së Vjenës në shtator të 1978, 2-0 në Shkodër që bëri bujë në Europë ku Robert Sara, Prohaska e Shakner me shokë e kishin dërguar Austrinë në 8 skuadrat më të mira të Botës në Botërorin 1978. Risia më e madhe e Vllaznisë së tashme është kontingjenti i të talentuarve të rinj që vinë nga Akademia e shkëlqyer e Shkodrës ku ish-drejtori, Ismet Hoxha dhe sot Qarshif Hoxha tok me trajnerët Alban Hasani, Luan Zmijani, Ferit Borshi, Nefail Zhejani etj., kanë punuar e punojnë shkëlqyer me tëra moshat duke i shpallur kampion të vendit. Vitin e kaluar ekipet U-17 dhe U-19 me trajnerë Alban Hasani dhe Luan Zmijani u shpallën kampionë të vendit me lojë moderne që do t’ia kishte zili çdo ekip i Superiores. Lojtar të tipit Cinari (shënoi 23 gola sezonin e kaluar), Dritmir Beci qendërmbrojtës tepër fin 18-vjeçar etj., të rinj e që kombëtaret e moshave si përfillin do t’i rrëmbenin ose do t’i rrëmbejnë shpejt në Europë. Teknika e lartë e lojës së Vllaznisë së Rainerit, shtatlartësia, përkushtimi në fushë e ndaj stafit, ndërveprimet e ndryshme tekniko-taktike, kundërsulmi i shpejtë e me një takim, fantazia etj janë ato që do ta ngrenë më lart Vllazninë me shumë halle financiare e pak të paguar në këtë sezon futbollistik.