Nga Endri ÇINARI
Kampionati i Superiores rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 9-të. Raund që do mbyllë edhe fazën e parë të kampionatit, ku ka pasur mjaft rezultate interesante. Vllaznia do e mbyllë këtë fazë në Korçë përballë Skënderbeut. Një kundërshtari të fortë, por aspak i pakalueshëm.
Madje që nga e shtuna, kuqeblutë mund të tentojnë rikthimin dhe këtë e favorizon disi edhe kalendari i këtyre javëve. Kështu pas transfertës korçarë, shkodranët do jenë sërish në udhëtim. Dhe do jetë dueli ndaj Kukësit në qytetin verilindor, që do hapë edhe fazën e dytë të kampionatit.
Patjetër që kuksianët nuk janë aq të fortë sa vitet e shkuara dhe këtë sezon po vuajnë shumë në kampionat. Pas këtyre dy dueleve jashtë, Vllaznia do mirë presë në Shkodër ekipin e Erzenit. Një kundërshtari ndaj të cilit 3 pikët janë goxha potenciale për tu marrë. Pra një grumbull ndeshjesh ku Vllaznia mund të rikuperojë shumë.
Nuk diskutohet që në këtë kampionat nuk ka aq diferenca mes skuadrave. Dhe secili kundërshtarë duhet respektuar në maksimum. Por në 3 ndeshjet e rradhës, kalendari është disi favorizues për ekipin e Memellit. Dhe ky është një fakt që duhet shfrytëzuar në maksimum dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.