Nga Endri ÇINARI
Superliga e futbollit do i rikthehet aktivitetit të zakonshëm fundjavën që vjen. Ekipet e elitës së futbollit tonë do zbresin në fushën e lojës në datat 10 dhe 11 janar, duke sjellë përballje të skajeve të tabelës dhe shumë interesante. Kështu në ndeshjet e javës së 20-të, gjithçka do hapet me duelin Egnatia-Laçi. Një duel që luhet për objektiva të ndryshëm.
Me rrogozhinasit që duan të mbajnë fort top katërshen. E laçianët që patjetër duan përmirësimin e rezultateve të pjesës së parë të sezonit. Po ashtu në të njëjtën ditë do luhet Bylis-Dinamo, sërish me dy skuadra me objektiva të kundërt. Ku ballshiotët duan me dëshpërim pikët për mbijetesë. Dhe kryeqytetasit që kërkojnë të vijojnë në rrugën e rezultateve që kishin në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Në Shkodër po ashtu në datën 10 janar zbresin në fushë dy skuadrat më të vjetra në vend. Me Vllazninë dhe Tiranën që risjellin klasiken në përballjen e parë të vitit 2025. E cila nuk e ka shijen e sezoneve të shkuara, pasi kuqeblutë po luajnë për titull e ndërsa bardheblutë po vuajnë dhe momentalisht janë në vorbullën e skuadrave që luajnë për mbijetesë.
Java e 20-të do vijojë të shtunën sërish me një përballje të objektivave të ndryshëm. Partizani që lufton për titullin do jetë ndaj Skënderbeut të fund tabelës. Me të kuqtë që nuk mund të gabojnë në shtëpi dhe korçarët që kanë “shpresën” e fundit në kryqytet. E vetmja ndeshje në raundin e 20-të të Superiores që mund të konsiderohet një përballje direkte është ajo mes Elbasanit dhe Teutës. Me të dy ekipet që kërkojnë të rivalizojnë dhe të afrohen me “top 4”. E një hap fals i secilit prej ekipeve patjetër do komplikonte shumë objektivat për ta./www.shkodrasport.com/