Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do rikthehet në fushë fundjavën tjetër, ku në kuadër të javës së 9-të do jetë vizitore në Laç. Një duel dhe një fushë aspak e lehtë për këdo në Superiore. E me kurbinasit në nevojë emergjente për pikë, kjo ndeshje parashikohet e fortë për kuqeblutë. Të cilët tashmë janë futur në ritmin e duhur në kampionat.
Por shkodranët do kenë një tur force në rikthimin e kampionatit. Dhe përveç transfertës laçiane që mbyll fazën e parë të kampionatit edhe nisja e fazës së dytë është “zjarr” për 9 herë kampionët e vendit. Kjo pasi në javën e 10-të, kuqeblutë do presin në Shkodër, Partizanin. Kundërshtarin direkt e sezoneve të fundit, ku dy ekipet kanë rivalizuar si për titull kampion ashtu edhe për zonat e kupave të Europës.
Përjashtim nuk bën as ky sezon, ku si shkodranët ashtu edhe kryeqytetasit duan minimalisht kalimin në “Final 4”. Pas “demave”, një tjetër skuadër nga kryeqyteti do jetë kundër Vllaznisë në javën e 11-të. Fjala është për Tiranën, që do presë shkodranët në shtëpi. Me “klasiken” që asnjë herë nuk mund të parashikohet dhe që mund të sjellë gjithmonë të papritura.
Pra, 3 ndeshje me një nivel vështirësie të konsiderueshme për Vllazninë. Që patjetër duhet të kalojë këtë “tur force” për të provuar edhe veten. E po ashtu për të treguar se këtë sezon, kuqeblutë kanë hyrë me objektiva ambiciozë në kampionat./www.shkodrasport.com/