Kategoria Superiore do rikthehet në këtë fundjavë me ndeshjet e raundit të 16-të. Skuadrat më të mira të vendit do jenë në aktivitet pas dy javësh pushime dimërore. Ku kampionati u ndalua, për të rivijuar sërish këtë fundjavë. Ky raund do jetë me të vërtetë interesant dhe me përballje direkte thuajse për çdo skuadër.
Kështu Vllaznia do ketë duelin me Partizanin, ndeshje direkte për titullin dhe 3 vendet e para të renditjes. Një takim që mund të përcaktojë shumë edhe në ecurinë e secilit do ekip. Kjo pasi një sukses i shkodranëve në Tiranë do rihapte totalisht kampionatin e në rast suksesi të të kuqve, do jepeshin sinjalet e para nga ana e “demave” për titullin kampion.
Por përballje direkte ka edhe për zonën e mbijetesës, ku spikasin dy duele. I pari është ai mes Bylis dhe Kukësit, ku ndeshja do jetë me të vërtetë një betejë për tu shijuar mes dy skuadrave që kanë pasur thuajse ecuri identike këtë edicion. E njëjtja mund të vlejë edhe për ndeshjen Teuta-Kastiroti, ku me kthimin e Martinit tek durrsakët duket se është rikthyer edhe optimizmi.
E ndaj krutanëve nuk do jetë aspak e lehtë, pasi edhe ata të drejtuar nga Mema tashmë do duan pikë në Durrës. Duel interesant është edhe ai mes Egnatias dhe Erzenit. Shijakasit kanë qenë surpriza e këtij sezoni në Superiore e ndërsa rrogozhinasit me ambiciet që kanë, do duan vetëm 3 pikët në fundjavë. Tirana po ashtu ka një transfertë shumë të fortë.
Bardheblutë udhëtojnë drejt Laçit për tu ndeshur me vendasit. Ku kurbinasit po kalojnë një formë pozitive së fundmi. Një javë e mbushur me duele shumë të forta dhe që garantojnë për një Superiore të mbushur plot rivalitet në vitin 2023.
Endri ÇINARI