Vllaznia tregoi edhe njëherë se këte sezon ka pretendime shumë të mëdha për kampionatin, ku me fitoren kundër Tiranës në shifrat 1-0 ditën e dielë tregoi forcën. Kjo duke ngushtuar diferencën tashmë në vetëm 3 pikë me kryeqytetasit, që ndiejnë nga pas ‘frymëmarrjen’ e kuqebluve, që duan rikthimin e titullit pas 22 vitesh mungesë në Shkodër.
Por ndeshja kundër kryeqytetasve jo vetëm që solli fitoren dhe entuziasëm në rradhët e tifozerisë, dha edhe disa lajme të mira për trajnerin Josa. Kjo pasi u rikthyen nga dëmtimi dhe po ashtu u hodhën në fushë emra të rëndësishëm si: Latifi dhe Boshnjaku. Të dy futbollistët kosovarë patën minutat e tyre, ku fantazisti tregoi shumë nga klasi i tij në 25 minuta aktivizim.
E ndërsa për Boshnjakun vetëm u ngrohën muskujt, pasi zbriti në fushë vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, ku duket se tashmë për ish-kapitenin e Prishtinës problemet kanë kaluar. Por kjo me siguri do shtojë dhimbjet e ‘kokës’ për Josen që tashmë duhet të bëjë zgjedhjet e tij për titullarët në një moment ku skuadra duket shumë e plotë.
Pavarësisht se ende pritet të rikthehen edhe Bulatovic dhe Juric që prej disa kohësh janë në ‘bokse’. Një luks i tillë për Josen ndoshta nuk ishte gjatë gjithë sezonit, por në këtë pikë ku ka shkuar kampionati dhe me Vllazninë që lufton në dy fronte, një fakt i tillë e ngroh trajnerin kuqeblu. Që me gjithë grupin nën dispozicion mund të ketë më shumë opsione e po ashtu mund të jetë më i qetë në zgjedhjet që mund të bëjë.
Endri ÇINARI