Pas një vere me disa lëvizje, Vllaznia ishte gati për nisjen e sezonit, duke u konfirmuar si ekip pretendent për titullin kampion. Megjithatë, me kalimin e javëve, skuadra e Josës nisi të linte pikë javë pas jave.
Shkodranët kanë 18-pikë të grumbulluara në 11-javë, teksa në katër përballjet e fundit nuk kanë pësuar asnjë humbje, duke marrë tetë pikë, por ky ekip akoma nuk po jep efektet që priten.
Edhe pse trajneri Josa nuk është ankuar asnjëherë, dëmtimet kanë qenë një nga problemet e mëdha të Vllaznisë në këtë sezon. Aktualisht, në infermieri është vetëm Liridon Latifi, një titullar absolut, por në të shkuarën lista ka qenë si “çarçaf”.
Kur ke shumë dëmtime, plani rezervë padyshim janë futbollistët e stolit, por këta të fundit nuk e kanë ndihmuar sa duhet Vllazninë, me përjashtim të mesfushorit Rejan Alivoda, që pak nga pak tashmë po kthehet në një titullar absolut në ekipin e trajnerit Mirel Josa.
Tashmë, Josa e ka një 11-she fikse, ndërsa stoli është mjaft i bollshëm, por duket se nuk është në nivelin që të bëjë diferencën. Kështu, kur Vllaznia vuante mungesën e futbollistëve titullarë, stoli nuk dha përgjigjet e duhura, ndërsa tashmë pak nga pak me rikthimin e të dëmtuarve në formacion, shkodranët sikur po rikthehen në formën e duhur, duke filluar nga kjo javë që lamë pas me Kukësin, ku morën një fitore 0-1.
Maringlen ZHIVANI