Nga Endri ÇINARI
Vllaznia i ka bërë një start pozitiv sezonit në Superiore. Ku pas 8 ndeshjeve të para, shkodranët ndodhen në vendin e dytë me 14 pikë. Kuqeblutë janë vetëm 1 pikë pas Partizanit të vendit të parë në kuotën e 15 pikëve. Duke treguar kështu stabilitet, në një moement kur mungon vetëm ndeshja kundër Laçit për të kompletuar fazën e parë.
Në këtë ecuri patjetër ka ndikuar edhe forma e mirë e disa futbollistëve tek kuqeblutë. Që kanë udhëhequr skuadrën drejt fitoreve me paraqitjet e tyre. Patjetër protagonisti kryesor ngelet Bekim Balaj, ku shtatlarti ka shënuar 5 nga 11 golat e shkodranëve deri më tani. Duke vijuar me formën e shkëlqyer të sezonit të shkuar.
Por një tjetër element që pritej prej kohësh të kthehej në formën e tij më të mirë ishte edhe Esat Mala. Prizrenasi i cili vuajti një dëmtim gjatë sezonit të shkuar, duket se ka lënë gjithçka pas. Duke u kthyer kështu në formën e tij më të mirë e duke shkëlqyer në 8 javët e para të edicionit. Grinta dhe sakrifica e 25-vjeçarit patjetër bie në sy tek shkodranët.
E po ashtu këtë sezon Mala ka qenë vendimtar edhe me gola. Ku ka gjetur 2 herë rrjetën pas 8 ndeshjesh, madje duke kaluar edhe rekordin personal të sezonit të shkuar ku shënoi vetëm 1 gol. Performancat pozitive të mesfushorit janë vlerësuar edhe nga analistët të cilët shpesh e kanë nxjerrë në formacionin e javës. Ku Mala është konfrimuar nga java në javë si një nga më të mirët në kampionat në pozicionin e tij./www.shkodrasport.com/