Ditën e sotme ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar stërvitjen e tij të rradhës në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”.
Por para zhvillimit të saj, ka ndodhur diçka vërtetë interesante. Me të shkelur në barin e stadiumit, të gjithë futbollistët kanë nisur të diskutojnë për golin e Sukajt në ndeshjen e së shtunës ndaj Lushnjës.
Distanca prej 60 metrash që u dha për atë të shënimit të këtij goli, në fakt nuk rezulton të jetë e tillë.
Ajo është matur herën e parë me hapat e thjeshtë të njërit prej punonjësve të stadiumit por sot është aplikuar një tjetër metodë.
Një tjetër punonjësh i stadiumit- Zef Lorenci, ka shfrytëzuar praninë në pistën e atletikës të trajnerit të mirënjohur Vildan Tufi që mban gjithmonë metër me vete për matjen e kërcimeve të sportistëve të tij.
Lorenci, bashkë me Sukajn dhe futbollistë të tjerë, kanë matur edhe njëherë distancën nga vendi ku topi u godit nga sulmuesi i Vllaznisë dhe deri tek porta.
Shifra e dalë ka qenë vërtetë befasuese: 64.80 metra. Kjo tashmë është zyrtare.
Distanca është matur me mjetet e duhura dhe padyshim që ky është një rekord në historinë e futbollit shqiptar.
© shkodrasport.com