Opinion nga ERVIN BAKU
Kombëtarja jonë ka mbyllur me turp edicionin e eliminatoreve “Brazil 2014”. Për të pestin edicion radhazi jemi në vendnumëro, në vendin e pestë. Shumë larg synimit që ka pasur: kualifikimit në Kampionatin Botëror “Brazil 2014” apo vendit të dytë, sinonim i play-offit. Një fitore e madhe në Oslo të Norvegjisë, na ka bërë të gjithëve ëndërrimtarë. Por nuk paska qenë e thënë. Jemi ende shumë të vegjël dhe do të na duhet kohë për t’u rritur. Edhe pse sot kemi një skuadër shumë të mirë…
SKUADRA
Kjo skuadër dhe ky grup lojtarësh nuk e meritojnë vendin e pestë. Kurrë. Kombëtaren, në këtë edicion eliminatoresh, shorti e vuri në grupin më të lehtë në historinë e saj të pjesëmarrjeve në të tilla evente. Kombëtarja, në këtë edicion, nuk kishte, në vendin dhe kohën e duhur, trajnerin dhe strategun e duhur.
DE BIAZI
De Biazi kishte në dispozicion një ekip me potencial të madh. Madje ka meritën, të vetmen, për krijimin e këtij potenciali. Italiani ka meritën e zbulimit dhe afrimit të futbollistëve, të tillë si Berisha, Rama, Basha, Mavraj dhe Kaçe, futbollistë që sot janë shndërruar në shtyllat e skuadrës dhe do të përbëjnë pa dyshimin më të vogël boshtin e së ardhmes. Sepse, sot, ata konsiderohen dhe janë të pazëvendësueshëm. Disa lojtarë, mes të cilëve do të veçoja Mavrajn dhe Kaçen, që në të kaluarën kanë refuzuar Kombëtaren, i thanë “po” De Biazit. Kaq. Kjo skuadër kishte nevojë për një strateg të vërtetë. Pas një fillimi shumë të mirë, De Biazi veshi, dhe i veshëm, një kostum që nuk e meritoi. Dhe në momentet kyçe, decisive, De Biazi tregoi që nuk është i zoti për të bërë diferncën. Zgjedhje e tij të dyshimta në dy ndeshjet vendimtare në Slloveni dhe Islandë, sidomos në Islandë, treguan fare qartë paaftësitë e tij. Italiani nuk bëri më mirë se Brigeli, Bariçi, Hani apo Kuzheja. Madje bëri shumë më keq se paraardhësit e tij. Sepse kishte skuadrën më të mirë dhe grupin më të lehtë. Minimalisht duhet të jepte dorëheqjen dhe jo të kishte paturpësinë të kërkonte ngritje rroge. Sepse në fund të fundit, futbolli, ashtu si gjithçka, matet me rezultate. Dhe De Biazi dështoi turpshëm. Na la pikërisht aty ku na mori. Si mund të ketë guximin dhe kurajon të rinovojë? De Biazi nuk ka kapacitetet e strategut që na duhet. Otmar Hicfeld do të largohet nga drejtimi i kombëtares së Zvicrës në fund të kampionatit botëror 2014. Pra, të tjerët edhe kur janë të suksesshëm dinë të tërhiqen. Jo më kur dështojnë.
FSHF-JA DHE E ARDHMJA
Të rinovosh këtë dështim të turpshëm është kulmi i paaftësisë. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. T’i japësh tjetrit një thes me para, në këtë kohë krize, edhe pse ai ka dështuar turpshëm. Po po, turpshëm. Si mund të rinovohet një trajner i tillë?!?! Kjo tregon një mungesë të qartë strategjie dhe vizioni nga ana e kreut të FSHF-së. Pas dështimit të gjashtë provave radhazi me trajnerë të huaj, ka ardhur koha që Armand Duka t’ia besojë këtë grup shumë të mirë një tekniku vendas. Vetëm budallai nuk ndryshon mëndje. Dhe Duka vetëm budalla që nuk është. Të tillë trajnerë shqiptarë kemi shumë. Që vlejnë shumë më tepër se De Biazi. Mjafton t’i përmend Josën dhe Cungun që arritën performanca të shkëlqyera, në kupat e Evropës, me skuadrat e tyre respektive. Pa harruar Muçën, Hafizin, Bajkon, Birçen, Sejdinin apo të tjerë. Me një zgjedhje të tillë, Duka nuk do të paguante me flori njerëz të paaftë dhe do të kursente goxha para, të cilat mund t’i hidhte për infrastrukturën e futbollit. Trajneri nuk është problem i vetëm i Kombëtares. Nesër, Kosova do të njihet nga OKB-ja dhe do të pranohet në FIFA. Krejt natyrshëm, shqiptarët e Kosovës mund të zgjedhin të garojnë për Kosovën. Me cilët futbollistë do të përfaqësohet Shqipëria nesër?!?! Pra urgjentisht, na duhet një kampionat shqiptar cilësor dhe zhvillimi i ekipeve zinxhir të moshave për çdo skuadër shqiptare. Pa një kampionat të fortë kombëtar nuk do të kemi një Kombëtare të fortë. E meritojmë këtë Kombëtare të fortë. Jemi të fundit në rajon. Sa turp…