Paralelisht me procesin stërvitor, ekipi i Besëlidhjes vazhdon edhe rinovimin me disa prej futbollsitëve, të cilëve u kishte mbruar kontrata me lezhjanët, që prej përfundimit të sezonit të kaluar. Njëri prej tyre është edhe mbrojtësi shkodran Arbër Shytani, i cili24 orë më parë është rikonfirmuar edhe një herë tjetër si futbollist i Besëlidhjes. Ai ka rinovuar me presidentin e këtij ekipi Gjokë Noka edhe për dy vite të tjera, për të qenë pjesë e këtij ekipi, që ka snime të qarta për të ardhmen. “Një vit më parë firmosa një kontratë një vjeçare me Besëlidhjen, duke dhënë gjithçka për këtë ekip, ndonëse edhe fati nuk deshi, që ne të jemi tani në Superligë. Me mbarimin e sezonit futbollistik, kishte marrë fund edhe kontrata ime 1-vjeçare me Besëlidhjen dhe natyrisht që ishte duke studiuar ofertat që kisha marrë, por në fund vendosa që të qëndroj përsëri në Lezhë. Oferta e presidentit Noka, por edhe projekti i tij afatgjatë për futbollin e këtij qyteti, ishin dy prej faktorëve kryesorë, që më bindën që të firmos, tashmë, jo një kontratë 1-vjeçare me këtë skuadër, por për dy sezone. Sigurisht dhe korrektësia e presidentit në të gjitha drejtimet, janë një tjetër arsye më shumë, që nuk hezitova për të firmosur, me shpresë së vitin tjetër Besëlidhja do të jetë në Superligë. Gjithsesi besimin e presidentit Noka dhe të gjithë stafit drejtues dhe teknik, do ta shpërblej në fushën e lojës, duke bërë dhe dhënë më të mirën për Besëlidhjen”, ka pohuar kështu për gazetën “Sporti Shqiptar”, një prej futbollistëve, tashmë, kryesor të ekipit lezhjan, Arbër Shytani. Pak ditë më parë, për këtë skuadër, rinovoi edhe mesfushori shkodran Vehadin Pepa, ndërkohë që pritet që të firmosë për këtë ekip edhe lezhjani Mirsad Gruda. Kështu, Besëlidhja pasi ka ruajtur mbi 80 % të grupit nga sezoni i kaluar, duket se është në rrugën e duhur edhe për vitin e ardhshëm, me projekte serioze dhe bindëse.
Kaçi del në stërvitje, por s’është i sigurtë
Në janar të 2012-ës, një prej lojtarëve më me eksperiencë për momentin në tregun e futbollit shqiptar Albert Kaçi u bë pjesë e Besëlidhjes, për të dhënë edhe ai kontibutin për këtë ekip për t’u ngjitur një kategori më lart. Pavarsisht se objektivi në fund të kampionatit nuk u arrit, drejtuesit e skuadrës lezhjane dëshirojnë që ta kenë përsëri në radhët e tyre këtë lojtarë. Por duket se vetë Kaçi nuk është i vendosur, ndonëse dy ditët e fundit ka dalë në stërvitje me Besëlidhjen. Ai synon një prej ekipeve të Superligës, ku bën pjesë edhe Vllaznia, por deri tani ka vetëm bisedime dhe asgjë nuk është e sigurtë, nëse shkodrani shtatëshkurtër do të qëndrojë apo jo tek lezhjanët. Gjithsesi, në ditët në vazhdim, do të vendoset gjithçka mbi të ardhmen e këtij lojtari, që duket se tek Besëlidhja e pret, e sigurtë, një fanellë titullari.

Mejdan ZHIVANI