Vllaznia u mposht në javën e 6-të të Superiores nga Egnatia në shifrat 0-2. Një ndeshje që u kushtëzua edhe nga kartoni i kuq që mori Dragoshi që në minutën e 17-të të ndeshjes. Dhe në fund kuqeblutë dolën të mposhtur në duelin ndaj rrogozhinasve. Por kishte edhe dy elementë që spikatën në këtë takim.
I pari dhe ndoshta i zakonshmi tashmë prej dy sezonesh ishte Esat Mala. Prizrenasi e nisi ndeshjen si sulmues i krahut të majtë dhe gjatë saj përfundoi si mbrojtësi majtë. Lojtari polivalent zhvilloi një 90 minutësh të shkëlqyet. Duke sakrifikuar dhe vrapuar pa fund, duke qenë kështu një nga më të mirët.
I dyti ishte Eslit Sala, që nuk konsiderohej si titullarë, por mungesat e kuqebluve bënë që 23-vjeçari të ishte në fushë. Dhe besimi i dhënë nga Memelli u shpërblye më së miri. Duelet fizike apo inkursionet personale që merrte numëri 8-të patjetër u vlerësuan. Kjo edhe nga duartrokitjet e publikut shkodran.
Në rastin kur Sala u zëvendësua, ku shumë kush nuk ishte dakord me këtë vendim të trajnerit. Performanca të tilla individuale kur ekipi është në vështirësi patjetër japin shpresë. Kjo për ndeshjet e ardhshme ku skuadra të reagojë dhe të gjejë stabilitetin e duhur në kampionat.
Endri ÇINARI