Vllaznia ka bërë së fundmi një riorganizim të strukturave drejtuese të saj. Tashmë siç dihet, presidenti Alban Xhaferi ka bërë disa ndryshime me drejtuesit e klubit.
Kështu, Vllaznia e re do të jetë më tepër në dorë të drejtorit sportiv Elvis Plori, i cili ka besimin e plotë të presidentit Xhaferi. Ai do të bëjë pak a shumë rolin e administratorit, pasi do të merret me gjithçka që ka të bëjë me riorganizimin e skuadrës për sezonin 2023-2024, ashtu siç ka bërë deri më tani.
Plori, në rolin e drejtorit sportiv, po merret direkt me merkaton, në bashkëpunim edhe me stafin teknik të kuqebluve, me në krye trajnerin Migen Memelli. Objektivi i Vllaznisë për sezonin e ri është që të jetë një skuadër e vendeve të para të tabelës, pse jo edhe pretendente për titull.
Ashtu siç “Shkodra Sport” ka bërë me dije, kuqeblutë duan të mbajnë një profil të ulët, me synimin për të shkuar sa më lart. Ndërkohë, objektiv paralel mbetet rritja e të rinjve dhe përgatitja e tyre për t’u transferuar jashtë vendit.
Maringlen ZHIVANI