Vëmendja e drejtuesve të Vllaznisë për elementin e ri po shtohet gjithnjë e më shumë. Tashmë, përveç William Cungut, Paolo Pjeshkës, Antonio Delajt, Ersi Zaganjorit dhe Arval Maliqit që kanë disa kohë në stërvitje me ekipin e parë, prej ditës së djeshme, atyre u është shtuar edhe një tjetër futbollist i ri.
Kështu, bëhet fjalë për sulmuesin 16-vjeçar Gerald Kubazi. Në fakt, siç shikohet edhe në foton e këtij shkrimi, ai është bashkë me Smajlin, Pjeshkën, Delajn dhe Cungun i pranishëm në seancën e fundit stërvitore. Kubazi është pjesë e Akademisë Vllaznia dhe në këtë kampionat me ekipin U-17, ai ka qenë një prej protagonistëve kryesorë me golat e shumtë të shënuar prej tij së fundmi.
Realisht, Kubazi konsiderohet si një nga elementët më me të ardhme te Akademia Vllaznia dhe prandaj, është ftuar në stërvitje me ekipin e parë, edhe pse mosha e tij është për të luajtur edhe për tre sezone të tjera me ekipet e të rinjve.
Natyrisht që, stërvitja me ekipin e parë do ta motivojë edhe më shumë Kubazin për të bërë mirë dhe për t’i treguar vlerat e tij ashtu siç duhet, por edhe duke i dhënë një sinjal trajnerit Josa dhe stafit të tij, se ai është një ndër elementët më me të ardhme të Akademisë Vllaznia, por jo vetëm.
Në Europë, çdo ditë e më shumë po shohim raste kur ekipet e njohura po u besojnë të rinjve të talentuar, duke i aktivizuar me ekipin e parë, edhe pse ato janë 17, 16 dhe madje edhe 15-vjeçarë. Kështu që, edhe Gerald Kubazi duhet të presë shansin e tij që ndoshta mund të vijë shpejt.
Maringlen ZHIVANI