Tekniku i ri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, nuk humbet kohë. Që ditën e tretë të përgatitjeve ai e ka rritur në maksimum ngarkesën, ku skuadra po zhvillon dy seanca në ditë. Shkodranët kanë dalë më herët në stërvitje dhe për afro 90 minuta kanë punuar në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”.

Më pas ata i janë drejtuar sallës së forcës për të kaluar edhe atje shumë minuta. Lojtarët e Vllaznisë vinin pas një pushimi absolut dhe janë ndeshur menjëherë me një stërvitje intensive, çka mund të sjellë ndonjë shqetësim, por për momentin nuk ka probleme. Pavarësisht ngarkesës së lartë, mësohet se stërvitja e aplikuar deri tani nga tekniku Jonuz është bashkëkohore.

Një kërkesë e trajnerit Jonuz është dreka pas seancës së parë stërvitore, përfshirë këtu edhe sallën e forcës. Dhe kështu ka ndodhur, teksa futbollistët kanë drekuar dje të gjithë bashkë. E veçanta është se trajneri maqedonas ka bërë edhe përzgjedhjen e ushqimeve që duhet të konsumojnë të tijtë në këtë vakt.

Me këtë regjim do të vazhdohet edhe ditët në vijim, derisa skuadra të zhvendoset drejt Ohrit për të zhvilluar fazën përgatitore. Vllaznia po mësohet gradualisht me rregullat e trajnerit Jonuz, i cili e ka bërë të qartë që në fillim se ai nuk toleron aspak dhe se në skuadër nuk ka “senatorë” apo lojtarë të rinj.