Viti 2018 do të shënojë një risi në sportin shkodran. Për herë të parë do të zhvillohet në këtë qytet një turne ndërkombëtar atletike. Një gjë e tillë është planifikuar në kalendarin e veprimtarive sportive të Bashkisë Shkodër për këtë vit. Përfundimi i shtrimit të pistës së tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” do t’u japë mundësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm. Ndonëse nuk është e përcaktuar saktësisht se çfarë aktiviteti është, duket se kemi të bëjmë me “Ditën e kërcimeve”.
Një aktivitet i tillë u pat filluar pak vite më parë, para se të nisnin punimet në stadium dhe më pas u ndërprenë. Por tashmë që ky impiant sportiv është bërë shumë modern, turneu i atletikës rikthehet, madje në një mënyrë shumë origjinale. Atë të shndërrimit të tij në një turne ndërkombëtar ku pritet të marrin pjesë sportistë nga shumë vende të Rajonit. Qyteti i Shkodrës dhe Klubi Vllaznia dallohen për disiplinën e kërcimeve teksa në rradhët e tyre është edhe kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe pikërisht për këtë gjë, është menduar që edhe ne si qytet të kemi një aktivitet të tillë ku të marrin pjesë edhe atletë nga vende të tjera të Ballkanit apo dhe më gjerë. Aktiviteti pritet të jetë njëditor dhe Bashkia ka planifikuar një fond prej 3 milionë lekësh të vjetra për akomodimin e sportistëve pjesmarrës.
Por, ai nuk do të jetë i planifikuar vetëm për vitin 2018 sepse mendohet të kthehet në një turne tradicional që do të zhvillohet edhe në vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë, në Shkodër përveç Memorialit Ndërkombëtar të Boksit që
zhvillohet çdo vit dhe që është i përfshirë edhe në kalendarin e veprimtarive të Federatës Europiane të Boksit, tashmë do të kemi edhe një turne ndërkombëtar në atletikë dhe kjo gjë është shumë pozitive.
www.shkodrasport.com