Shqipëria tashmë nuk do të ketë më vetëm boks meshkujsh. Janë edhe femrat që do të ngjiten në ring, madje jo vetëm sa për shoë, por për të përfaqësuar denjësisht vendin tonë edhe në arenën ndërkombëtare. E para femër që e ka ndërmarrë një inisiativë të tillë është një shkodrane.
Ajo është Elda Selaj, e cila ka kohë që stërvitet nën drejtimin e të mirënjohurit Jetmir Kuçi. Ajo është ngjitur në ring për herë të parë gjatë finaleve të kampionatit kombëtar të të rriturve që u zhvilluan pak ditë më parë në Shkodër, duke zhvilluar një ndeshje miqësore me kosovaren Hana Xhemajli të cilën e fitoi me rezultatin e pastër 3-0. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Elda Selaj do të shprehej se boksi, ka qenë ëndërra e saj që e vogël. “Boksi është pasion im dhe ëndërra ime ka qenë të bëhem boksiere. Jam e lumtur që karriera ime tashmë ka nisur dhe falenderoj shumë profesor Jetmirin për punën e bërë me mua. Ndeshja miqësore ndaj boksieres kosovare ishte një trampolinë për të marrë pjesë pastaj në kampionatet e tjera që do të zhvillohen në mes femrave ku padyshim që do të kërkoj fitoren”- është shprehur boksieria e parë shqiptare që pretendon të arrijë majat në këtë sport.
© shkodrasport.com