Transferimi i Kristiano Ronaldos në Arabi ishte shumë i bujshëm për faktin se ylli portugez do të marrë 200 milionë euro në sezon. Por, aventura e tij në kampionatin arab nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tashmë po mendohet largimi i tij.
Legjenda e futbollit brazilian, Rivaldo ka folur në lidhje me këtë çështje, duke u shprehur se shpesh herë lojtarët mashtrohen nga kontratat e mëdha dhe bëjnë hapa të gabuar. Ai i bën thirrje Kristianos që të rikthehet në Europë, për të mbyllur karrierën me Realin.
“E kuptoj që ndonjëherë lojtarët mashtrohen nga kontratat e mëdha që firmosin në Arabi por jeta atje është më e mbyllur edhe futbolli nuk është i lehtë siç pritej.
Do të ishte mirë për të dhe për futbollin që ta shihnim Ronaldon që të kthehet te Reali dhe të mbyllë karrierën. Sigurisht tifozët duhet të kuptojnë se nuk mund të kërkojnë të njëjtën gjë siç e kërkonin 25 ose 26 vjeç”, u shpreh Rivaldo.