Universitatea Craiova është rivali i Vllaznisë në raundin e dytë të Conference League. Rumunët nuk janë të panjohur për tifozët shqiptarë, pasi verën e kaluar i eliminoi Laçi në raundin e dytë të CL pas fitores 1-0 në Shqipëri dhe barazimit pa gola në transfertë.
Kuqeblutë shkodranë do të tentojnë të njëjtën gjë përballë këtij kundërshtari. Sfida e parë do të luhet më 21 korrik në “Loro Boriçi”, ndërsa dueli i kthimit një javë më pas në “Stadionul Ion Oblemenco” të Craiovës.
Skuadra e drejtuar nga Laszlo Balint u përball sot në një miqësore me Arminia Bielefeld, skuadrën që sezonin e fundit garoi në Bundesliga, por pa ia dalë të mbijetonte.
Univ Craiova triumfoi 4-1 përballë skuadrës gjermane, duke u shfaqur në formë përballë një rivali të vështirë, edhe pse ishte vetëm miqësore.
Andrei Ivan (5’) kaloi rumunët në avantazh. Pjesa e parë nuk prodhoi më gola, teksa Univ Craiova realizoi edhe dy gola të tjerë me anë të Jovan Markovic (52’, 60’).
Arminia shkurtoi rezultatin falë rrjetës së Christian Gebauer (73’), por rumunët vulosën suksesin me “poker” falë golit të Ante Roguljić dhjetë minuta përpara fundit.
Ekipi i pare: 13. Pigliacelli – 18. Vlădoiu, 2. Papp, 6. Screciu, 5. Vătăjelu, 8. Mateiu, 10. Vînă, 22. Gustavo, 17. Baiaram, 9. Ivan (cpt.), 19. Koljic.
Rezervat: 1. Lazar – 33. Căpățînă, 25. Găman, 11. Bancu, 35. Sala, 16. Nistor, 14. Crețu, 24. Roguljic, 7. Cîmpanu, 20. Markovic, 36. Brășfăleanu, 37. Danciu.
Antrenor: Laszlo Balint