Te Barcelona nuk e humbasin asnjëherë rastin të thumbojnë Realin e Madridit sa i përket lojtarëve të klubit të bardhë. Në shënjestër edhe njëherë ka qenë numri 9 i “Los Blancos”, Kilië Mbape.

Francezi mbërriti me shumë bujë në verë në Madrid. Por nisja e sezonit të tij të parë në Madrid ka qenë jo ashtu siç ai priste, jo ashtu siç Relai priste, jo ashtu siç tifozët madrilenë prisnin. Ndonëse është golashënuesi i dytë më i mirë në ekip pas Vinicius, Mbape nuk i ka shpëtuar kritikave, teksa tashmë po vuan një mini-krizë, pasi nuk ka mundur të shënojë në 4 takime radhazi.

Nga Katalonja ka ardhur ngacmimi i radhës me protagonist, krahun e djathtë të presidentit Laporta, Enrik Masip. Këshilltari i Laportës, gjatë një interviste për “Marca”, ka thënë:

“Në një vit kur Mbape vendos të shkojë në Madrid, duke qenë qershia mbi tortë për një ekip kampion, ne marrim një fëmijë që po mahnit në Evropë. Sezoni në La Liga ka nisur nën markën e Mbape dhe papritur shfaqet një djalë 17-vjeçar i cili fillon të luajë në mënyrë që i ka lënë të gjithë me gojën hapur. Jemi të lumtur me një lojtar si ai”.