Philippe Coutinho është po aq i mirë sa Neymar dhe do të jetë vendimtar për Brazilin në Kupën e Botës, sipas ish-mbrojtësit të majtë legjendar brazilian Roberto Carlos.

Carlos, tashmë 45 vjeç, beson se teksa Neymar po tërheq vëmendjen nga publiku, në fakt është Coutinho ai që bën Brazilin të funksionojë.

Duke shkruar për Sunday People, fituesi i Kupës së Botës 2002 është shprehur: “Të gjithë flasin për Neymar, por Coutinho po vërteton se është po aq i rëndësishëm për ekipin.

“Kur të gjithë mbrojtësit fokusohen te Neymar, ai shfaqet dhe vendos ndeshjet.

“Kam shumë dëshirë ta shoh duke luajtur. Ai është brilant me topin, por i zgjuar pa topin në zotërim, duke u pozicionuar mirë.”

Kanë qenë dy golat e Coutinho-s që kanë zhbllokuar rezultatin për Brazilin në dy ndeshjet e para.