Periudha e “galaktikëve” ka qenë një nga më të artat në historinë e Real Madrid, edhe pse asokohe, pavarësisht yjeve të shumtë që kishte në ekip, skuadra fitoi vetëm një Ligë Kampionesh. Megjithatë, spektakli në fushë ishte i garantuar në një skuadër të mbushur me yje të cilët kishin veset e tyre.

Ato i ka zbuluar në një intervistë Roberto Karlos, një prej “galaktikëve” në fillimin e viteve 2000, kur Real i ndërronte trajnerët njëri pas tjetrit edhe sipas kërkesave të lojtarëve. “Vicente Del Boske ishte më shumë një mik, nuk kishe nevojë për rregulla, lojtari e dinte çfarë duhej të bënte. Stërvitjet e të hënave dhe shpesh të martave ishin pasdite. Ai nuk i caktonte në 11 të paradites pasi e dinte se askush nuk do  të shkonte”.

Kamaço ishte komplet ndryshe, edhe pse kishte shkruar historinë me Realin. “Në atë periudhë ishim 7 galaktikë, ishte rrezik në dhomat e zhveshjeve. Të gjithë kontrollonim mirë gjërat, kishim marrëdhënie të mira me të gjithë përveç Kamaços, i cili mbijetoi 10 ditë.

Hyri në dhomat e zhveshjes shumë serioz dhe po e shihja çfarë do të thoshte. ‘I dua të gjithë në fushë nesër në orën 7’. Normalisht stërviteshim në 10:30. I folëm dhe u munduam të ndryshonim orarin, pasi kishim zakonet tona. E njëjta gjë ndodhi me Luksemburgon. Në grumbullim kishte gjithmonë verë dhe birra në tavolinë gjatë darkës.

Unë dhe Ronaldo i thamë ‘profesor, njerëzit këtu kanë zakonet e tyre e do i shohësh, mos i ndërro. Mos i heq shishet e verës nga tavolina dhe birrat, përndryshe do të kemi probleme’. Çfarë bëri ai? Hoqi në fillim birrat e pastaj verën. Mbijetoi vetëm 3 muaj, bota e futbollit është e vogël, lajmi shkoi te bordi drejtues dhe mirupafshim”, tha ai.

Lojtarët më pas kishin liri të bënin gjëra që në klube të tjera as nuk mund ta mendonin. “Edhe sot mendoj se si është e mundur që kemi bërë aq shumë budallallëqe. Sapo mbaronte çdo ndeshje të gjithë ishim me avion privatë. Shkonim në terminalin privat në Barahas.

Ishte Bekam që shkonte nuk e di se ku, Figo apo ZIdan që shkonin në ndonjë vend, unë dhe Ronaldo… duhej të stërviteshim pas dy ditësh. Unë shpesh lutesha që ndeshjet të ishin të shtunave, në mënyrë që të shkoja të shihja Formula 1 të dielave, kishte udhëtime me avionë privatë kudo, një çmenduri”, pohoi ish-mbrojtësi brazilian. /vipsport/