Lojtari me origjinë nga Shkodra Rocco Vata i jep lamtumirën Sëlltikut. Zyrtarizimi është çështje ditësh, por transferimi i tij drejt një kampionati më prestigjioz si ai anglez, duket i kryer.

Këtë e ka zbuluar eksperti i merkatos, Fabricio Romano, i cili ka bërë të ditur se djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata, tani do të jetë pjesë e Uotford, me të cilin do të firmosë për 4 sezonet e ardhshme.

“Uotfordi ka arritur marrëveshjen për të firmosur talentin e lindur në vitin 2005, Rocco Vata. Vizitat mjekësore do të kryhen të enjten. Selltik do të përfitojë një kompensim që kalon 200 mijë paund, kontrata do të jetë deri në qershorin 2028”, shkruante Romano në një postim në rrjetet sociale.

Vata, i cili përfaqëson Irlandën në arenën ndërkombëtare, ka arritur të debutojë në sezonin e kaluar edhe me ekipin e parë të Sëlltik. Por mundësia për të luajtur më shumë te Uotford si dhe për t’u provuar në një futboll më cilësor si ai anglez, e ka shtyrë të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për karrierën e tij.