Roxher Federer ka bërë të ditur ditën e djeshme se do të tërhiqet nga karriera aktive si tenist pas Kupës “Lawer”, që do të mbahet javën e ardhshme në Londër.
Vitet e fundit të karrierës së Federer janë goditur nga një sërë dëmtimesh, pasi ai iu nënshtrua dy operacioneve në gju. Fillimisht, në vitin 2020 dhe më pas në çerekfinalen e “Wimbeldon” në 2021, që në fakt ishte edhe ndeshja e tij e fundit zyrtare deri më sot.
Karriera e gjatë e Federer ishte në të njëjtën periudhë me Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç, me të cilët ai dominoi tenisin e meshkujve për 20-vitet e fundit. Në njoftimin e publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Federer u shpreh se tenisi e ka trajtuar shumë më mirë nga sa e priste, ndërsa theksoi se tashmë ka ardhur koha e duhur për t’i dhënë fund karrierës së tij.
“Unë jam 41-vjeç. Kam luajtur më shumë se 1500-ndeshje gjatë 24-viteve. Tenisi më ka trajtuar më bujarisht sesa do ta kisha ëndërruar ndonjëherë dhe tashmë duhet të kuptoj se është koha për t’i dhënë fund karrierës sime konkurrese.
Siç e dini shumë prej jush, tre vitet e fundit, më kanë dalë shumë sfida përpara, si lëndimet apo edhe operacionet. Kam punuar shumë për t’u kthyer në formë të plotë dhe të jem konkurrues. Megjithatë, unë i di gjithashtu kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim dhe mesazhi i tij për mua, kohët e fundit ka qenë i qartë.
Do doja të falënderoja edhe konkurrentët e mi në fushë. Kam pasur fatin të luaja kaq shumë ndeshje epike që nuk do t’i harroj kurrë. Ne luftuam me drejtësi, me pasion dhe intensitet dhe gjithmonë jam përpjekur të rrespektoj historinë e lojës. Ndihem jashtëzakonisht mirënjohës”,-ka përfunduar njoftimin e publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Roxher Federer.
Maringlen ZHIVANI