Vllaznia-Teuta do jetë ndeshja e javës së 15-të që do luhet ditën e enjte në orën 15:45. Një duel që do mbahet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe që i gjen të dy skuadrat në humore të ndryshme. Ku shkodranët vijnë pas dy humbjeve rradhazi e ndërsa durrsakët nga dy suksese. Fitore që tashmë i kanë ngjitur në klasifikim.

Duket se ardhja në krye e shkodranit, Edi Martini ka ringjallur edhe bregdetarët. Që deri para dy javësh ishin ekipi më i dobët në Superiore.

E duket se dueli do jetë edhe midis trajnerëve e jo vetëm mes ekipeve në fushë. Mirel Josa në krahun kuqeblu e Martini në atë durrsak. Karrierat e tyre si futbollistë flasin vetë, pasi në periudhat ku janë aktivizuar në futbollin tonë kanë qenë ndër më të spikaturit.

E ndërsa edhe si trajnerë kanë shkëlqyer. Ku Josa është shumë i mirënjohur në futbollin tonë e ndërsa Martini po ashtu në vitet e fundit ka qenë trajneri më i suksesshëm në vend. Por në periudha të ndryshme ata i kanë drejtuar të dy skuadrat. Madje në sezonin 2010-11 ishte një duel po i njëjtë, ku Josa ishte në drejtimin e Vllaznisë e Martini në atë të Teutës.

Më parë në sezonin 2009-10, Martini kishte qenë në drejtimin e Vllaznisë e ndërsa Josa po në atë sezon ishte i Teutës. Një rokadë që kishte ndodhur në atë periudhë, me duelet që me të vërtetë kanë qenë interesante e që patjetër i tillë pritet edhe kësaj rradhe. Një tjetër “kryqëzim” në histori mes dy figurave që kanë lënë gjurmë në futbollin tonë.
Endri ÇINARI